“Stalini e Hitleri, djall njëri e djall tjetri”, shpërthimi i “gjermanes delvinjote” që përfundoi në pranga

“Stalini e Hitleri, djall njëri e djall tjetri”, shpërthimi i “gjermanes delvinjote” që përfundoi në pranga

Karjolla Vencek edhe në çastet kur po ndërronte jetë ka përmendur emrat e tyre, madje nuk ka harruar të belbëzojë edhe atë që thoshte shpesh për ta, fjalën shqipe “Lanet!…”

Foto Ilustruese /

Pjesa e Tretë
Vijon nga Pjesa e Parë dhe Pjesa e Dytë
Në kujtesën e atyre që e kanë njohur në Delvinë, ka mbetur shpërthimi rebelues i saj në çastet e vështira dhe gjëndjet depresive. Thirrjet “Gjermania!”, “Gjermania!”, “Dojç!”, “Dojç!”, ishin rituali i vazhdueshëm i Karjolla Vencek-ut rrugëve të qytetit të vogël. “Ajo shpesh çohej edhe nga gjumi e brofte në dritare duke thirrur: Jam gjermane! Ku je Gjermanja ime?!”, kujton djali i madh i saj, Hetemi. Për të shoqin, Vehapin, këto ishin çastet më të rënda që e detyronin t’i ndërhynte shpesh pa takt për t’i kujtuar rrezikun që mbarte për ta ky qëndrim i saj. Po Karjolla kishte humbur vetëpërmbajtjen, ishte tjetërsuar nga stërmundimet. Ishin kohë të vështira dhe ajo nuk mund ta kuptonte ndëshkimin që kishin nga prapa shpërthime të kësaj natyre me “nostalgjitë për një vend armik të Shqipërisë socialiste”. Rebelimet e tilla do ta bënin mjaft herë objekt këshillimesh, presionesh e deri te denoncimet publike në qendër të qytetit. Ajo nuk kishte si të bënte ndryshe. Kishte humbur Gjermaninë, jetën, identitetin dhe e vetmja rrugë që i kishte mbetur ishte lutja, thirrja dhe rebelimi për to! Asaj nuk kish si t’i shkonte në mendje se edhe me këto mund të nxinte më tej ferrin e vet.
“Një natë përfundoi në polici”, tregon Petrit Shena, një ish punonjës i Sigurimit në zonën e jugut. Këtë radhë “gjermanija e Vehapit” kishte kapërcyer të gjithë kufijtë. Kishte sharë e goditur vetë Stalinin, në qendër të qytetit, në prani të dhjetra qytetarëve. Madje aty ishte kacafytur edhe me një veterane. Pasi kishte pështyrë bustin e udhëheqësit të sovjetëve te pallati i kulturës, kishte thirrur me të madhe: “Lanet Stalin që dogje njerëzinë!” Në çast e kishte mbërthyer për krahu një grua e moshuar dhe e kishte sharë vënçe “buçen e Hitlerit”. Karjolla kishte mbledhur veten dhe aty për aty kishte vënë shenjën e barazimit midis të dyve .“Djall njëri e djall tjetri!” kishte thënë me neveri gjermanija e përmendur rishtaz, por që këtë radhë nuk mund të falej . “Me Stalinin na ka futur në bela disa herë, sidomos ne fëmijëve, kujton Hetemi, djali i madh i saj. Sa herë na mbështillte librat, qëllonte që shikonte fotografinë e tij dhe fillonte të zhgarraviste mbi të “Lanet Stalin që dogje njerëzinë!”. Të njëjtën gjë bënte edhe mbi fotografinë e Hitlerit. I kishte tmerr të dy. Ata e çmendën njerëzinë, thoshte dhe pështynte mbi portretet e tyre. Shyqyr që shkruante në gjermanisht se do na kishte gjetur e zeza…”
Njerëzit që ka patur pranë thonë se edhe në çastet kur ndërronte jetë Karjolla Vencek-u ka përmendur emrat e tyre, madje nuk ka harruar të belbëzojë edhe atë që thoshte shpesh për ta, fjalën shqipe “Lanet!…”
“I shkuan vëllezërit deri tek dera, por nuk qe e thënë ta takonin”
Aty nga fillimet e viteve ’70 mbërritën në Jug të Shqipërisë dy vëllezërit e saj. Pas shumë viteve në kërkim të motrës, kishin saktësuar një adresë të përafërt të vendndodhjes së saj: rrethi Sarandë. Në fillim kishin qëndruar në Tiranë dhe pasi kishin kontaktuar autoritetet zyrtare të kohës, kishin marrë rrugën e Jugut. “I erdhën vëllezërit deri tek porta, por nuk qe e thënë ta takonin, kujton Petrit Shena. Ishin të dy ushtarakë madhorë të Bundesverit. Kishin një përkthyes dhe një shoqërues me të cilët kishin ardhur nga Tirana.
Në fillim u vendosën në turizmin e Sarandës. Nga interesimet e para mësuan se Karjolla jetonte diku në Delvinë. Udhëtuan për aty disa ditë me radhë, kërkuan me këmbëngulje të gjenin shtëpinë e saj, por fati nuk  deshi të çmalloheshin me motrën e të vendosnin për jetën e saj. Përpara mbërritjes së tyre, specialistët e sigurimit kishin bërë “rigonicionin” dhe pasi kishin parë kushtet mizerje në të cilat jetonte gjermanija e Delvinës, kishin vendosur që mysafirët e mbërritur nga larg t’i përcillnin me mision të papërfunduar.
Ndryshe do të cënohej imazhi i Shqipërisë që asokohe trumbetohej me të madhe si vendi më i përparuar në Europë. Përgjigjja standarte do të jepej nga autoritetet lokale: Ka qënë diku pas lufte një gjermane në qytetin tonë, por ka kohë që ka ikur! Ishte një skemë e njohur në të tilla raste që përpunohej me mjeshtëri. Dhe kështu ndodhi. Vëllezërit e mbërritur nga larg, kaluan disa herë bri kasolles së saj, madje në një rast deri tek porta, por nuk qe e thënë ta takonin Karjollën  e dëshiruar për ta dhe tokën që e rriti…”/Pamfletigjermanja delvinjote karjolla vencek pranga
Burimi