Lapidari që mungon te Shkëmbi i Kavajës, aty ku u vra Saverio Guidera duke hequr mina në vitin ’46

Lapidari që mungon te Shkëmbi i Kavajës, aty ku u vra Saverio Guidera duke hequr mina në vitin ’46

 

Shkëmbi i Kavajës /

Ka qenë pasditja e nxehtë e qershorit të largët të vitit 1946, kur xhenieri italian, Saverio Guidera është vrarë duke çaktivizuar minat në bregdetin shqiptar. Njëra prej tyre që me sa dukej nuk i ishte bindur duarve të tij, kishte plasur pa pritur dhe kishte hedhur në erë vet njeriun antiminë. Pas atij shpërthimi fatal trupi i tij është gjetur i coptuar aty ku është ndërtuar pista e kompleksit turistik “Bleart”…
Të përbuzësh vdekjen për të shpëtuar jetën e të tjerëve! Ka ndodhur me xhenierin italian Saverio Guidera ti afrohet pranë përditë me radhë momentit fatal teksa ka çaktivizuar me qindra mina në bregdetin e Durrësit në vitet e para pas çlirimit. Miku i familjes së Adem Pilkut, ka jetuar në shtëpinë e tij nga viti 1938 deri në qershorin e vitit 1946 dhe është martirizuar një pasdite qershori me mina në duar në ditën kur do të udhëtonte për tu riatdhesuar në Palermo të Italisë. Historia e italianit që e lidhi detyra dhe u miqësua me shqiptarët në vitet e vështira të pushtimit. Një ngjarje e pa zbardhur me jetën dhe sakrificat e shumta të njeriut antiminë. Po edhe një lapidar që mungon në zonën e plazhit te shkëmbi i Kavajës ku u vra para 70 vjetësh Saverio Guidera…
Jeton në Tiranë një familje e thjeshtë që sa herë troket 26 qershori, zgjedh nga buqetat më të bukura me karafila dhe gjendët në zonën e plazhit te Shkëmbi i Kavajës. Pikërisht aty ku dallga e ujit takohet me pistën e kompleksit turistik “Bleart”, karafilat në det marrin një pamje të veçantë. Deri para disa kohësh këtë ritual e drejtonte kryefamiljari Adem Pilku, i cili ka vite që ka ndërruar jetë. Tashmë e vazhdon i biri, Nexhati, si pjesë të amanetit të të  atit. Ka 70 vjet kështu. Gjashtë dekada me radhë kjo familje e thjeshtë ka zgjedhur këtë mënyrë për ti bërë nderimet dhe homazhin mikut të tyre italian, Saverio Guidera që në vitet e pas çlirimit bëri shumë për të çaktivizuar zonën e plazhit te Shkëmbi i Kavajës.
Saviero Guidera mbërriti në Shqipëri aty nga fillimi i vitit 1938. Qysh në ditët e para punoi si xhenier në Ministrinë e Punëve Botore. Të gjithë ata që e kanë njohur dhe i ka lidhur puna me të e kujtojnë si një specialist shumë të aftë dhe një njeri të përmbajtur. Përpara se të spikaste në profesionin e tij si xhenier, Saviero demonstroi një miqësi të sinqertë dhe marrëdhënie të ngrohta me kolegët shqiptarë. Vitet e luftës u bashkua me pjesën e atyre që shprehu hapur revoltën për agresionin dhe operacionet antinjerëzore. Me natyrën e prerë të një ushtaraku të kualifikuar në fushën e minave, qysh në ditët e luftës e vuri mjeshtërinë e tij në shërbim të jetës së njerëzve. Kështu ka mbetur i fiksuar në kujtesën e Nexhat Pilkut, djali i mikut të afërt të italianit që e zgjodhi Shqipërinë si atdhe të dytë…
Pas një mine, ku flinte një vdekje
Ditët e para të pasluftës, kur Saviero Guidera mund të kthehej lirisht pranë familjes së tij në Palermo të Italisë, u dha fjalën miqve të vet se do të rrinte edhe ca kohë për tu marrë me çaktivizimin e minave të shumta që kishte lënë prapa pushtuesi. “Veçanërisht në zonën e plazhit të Durrësit kishin mbetur me mijëra mina të llojeve të ndryshme”, kujton Nexhati i cili shton  se Saviero që e kishte parë nga afër këtë peisazh, kishte dhënë alarmin i pari, madje kishte këmbëngulur për ta ruajtur me rreptësi zonën që mos të futej njeri në të. Po nuk ishte mjaftuar me kaq. Me pajimet që kishte filluar vet nga puna për ti hequr një nga një minat e vendosura në gjithë gjatësinë e plazhit të Durrësit. Përkujdesja për jetën e banorëve të zonës, thotë Nexhati, ishte preokupimi kryesor i Savierios, që nuk u lodh asnjëherë duke shkuar shtëpi më shtëpi për tu bërë të qartë rrezikun nga minat. Italiani që e zuri edhe pas lufta në Shqipëri, kujtojnë ata që e kanë njohur, thoshte shpesh se aty ku është një minë përgjon një vdekje…
Te Shkëmbi Kavajës ku mungon një lapidar
Nexhat Pliku që e ka njohur nga afër italianin që çaktivizoi me qindra mina në zonën e plazhit, e çon rrëfimin e tij deri te ngjarja e datës 26 qershor 1946. Është pikërisht dita kur miku i familjes së tij do të ndërronte jetë duke mbajtur në dorë një nga minat që kishte nxjerrë me thonj nga thellësia e tokës. “Ja këtu, te shkëmbi i Kavajës, mungon një lapidar për jetën dhe sakrificat e Saviero Guiderës”, shpjegon përmbledhtazi Nexhati, i biri i Ademit që e ka mbajtur si fëmijën e vet në shtëpi italianin nga Palermo, i cili bëri shumë për banorët e zonës. Pastaj rrëfimi i tij sjellë të plotë retrospektivën e asaj që ka ndodhur në datën 26 qershor 1946… Saverio Guidera “Deri në qershor Savierua çliroi nga minat urët dhe rrugët kryesore që lidhnin Tiranën me Durrësin. Pikërisht aty nga data 20 qershor ju dha e drejta të riatdhesohej në shtëpi, ku thoshte se e priste me padurim e ëma. Konstatimi i një zone të re me mina në afërsi të shkëmbit të Kavajës, e shtyu për ca ditë riatdhesimin e tij. Kaluan kështu disa ditë rraskapitëse e shumë të lodhshme për të. Me dhjetëra e qindra mina çaktivizoi në zonën e re të konstatuar rishtas. Atëherë kur gati po përfundonte, ndodhi edhe akti fatal. Ishte data 26 qershor. Atë mëngjes doli nga shtëpia jonë jo si zakonisht. Teksa u përshëndetëm me të te pragu i shtëpisë ai shqiptoi një shprehje që nuk e kishim dëgjuar asnjëherë nga ai. “Do zoti shihemi këtë mbrëmje!”. Ky ishte urimi i Savieros në atë prag ndarjeje. Mbasi kishte punuar nga mëngjesi deri në mbrëmje dhe kishte grumbulluar më shumë mina se ditët e tjera, rreth orës 19 njëra prej tyre që me sa dukej nuk i ishte bindur duarve të tij, kishte plasur pa pritur dhe kishte hedhur në erë vet njeriun antiminë. Mbas disa orë kërkimesh në ujërat  e detit, aty ku sot është ndërtuar pista e kompleksit turistik “Bleart” mundëm të gjejmë dorën e majtë të tij bashkë me orën që mbante në të. Dhe vetëm kaq. Kaq kishte mbetur nga miku ynë i shtrenjtë që dha jetën për të siguruar normalitetin e jetës së një zone të tërë./Pamfletilapidari shkëmbi i kavajës saverio guidera
Burimi