Samiti i Këshillit Europian, Mitsotakis: Beleri do marrë zyrtarisht detyrën si eurodeputet

Samiti i Këshillit Europian, Mitsotakis: Beleri do marrë zyrtarisht detyrën si eurodeputet

Fredi Beleri dhe Kyriakos Mitsotakis

GREQI- Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis është ndalur sërish në çështjen e Fredi Belerit, i cili edhe pse është në burg në Shqipëri u zgjodh eurodeputet. I pyetur nëse ka pasur ndonjë zhvillim, nëse i ka vënë në dijeni homologët për çështjen e vendimit për të qëndruar në burg Fredi Beleri dhe nëse kjo krijon ndonjë pengesë për çështjen e betimit të tij si deputet i zgjedhur në Parlamentin Evropian kryeministri grek është përgjigjur se e sheh si të mirëqenë, që Fredi Beleri do të jetë në Strasburg.
“Patëm rastin të diskutonim këtë çështje në takimin e Partisë Popullore Evropiane dhe e bëmë këtë sepse ishte e pranishme edhe kryetarja e Parlamentit Evropian, znj. Metsola. Shikoni, e marr si të mirëqenë, që Fredi Beleri do të jetë në Strasburg për të marrë zyrtarisht detyrën e tij si eurodeputet dhe padyshim do të marrë pjesë edhe në votimin jashtëzakonisht vendimtar për zgjedhjen e Presidentit të ardhshëm të Komisionit Evropian. Nuk do të them asgjë më shumë, por mendoj se është krejtësisht e arsyeshme dhe e vetëkuptueshme që kjo të ndodhë,”- tha ai.
Gjykata e Posaçme e Apelit ka lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë për kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri. Përfundimisht, Beleri do të duhet të vuajë 2 vite heqje lirie, edhe pse aktualisht është zgjedhur edhe si eurodeputet në Parlamentin Europian nën logon e partisë “Neodemokracia”, e drejtuar nga kryeministri Kyriakos Mitsotakis. I zgjedhur nga votat e qytetarëve kryebashkiak i Himarës, Fredi Beleri është arrestuar që më datë 12 maj 2023. Ai akuzohej për veprën penale “korrupsion aktiv në zgjedhje, kryer në bashkëpunim”. Banorë të Himarës kanë thënë se atyre iu janë premtuar para, në këmbim të votës. Ai u prangos 48 orë para zgjedhjeve lokale të 14 majit./ZËRI
Burimi