Rama mbështetje Kombëtares: Përballemi me skuadrën më të frikshme të grupit, cilido qoftë rezultati dalim me kokën lart
edi rama
TIRANË- Pak orë përpara ndeshjes së kombëtarës kuqezi, me ekipin e Spanjës, kryeministri Edi Rama ka ndarë një mesazh mbështetjeje në rrjetet sociale. Ai shkruan se sot kombëtarja shqiptare përballet me skuadrën më të frikshme të grupit ku bën pjesë, e megjithatë do të provojë të gjitha shanset e saj për t’u kualifikuar më tej. Kryeministri shprehet se cilido qoftë rezultati i ndeshjes në fushën e lojës, Shqipëria do të dalë me kokën larg nga stadium, i cili edhe sot pritet që të dominohet nga tifozët shqiptarë.
POSTIMI I RAMËS
FORCA SHQIPE Askush nuk do ta besonte me mendje – me zemër tjetër punë – që në ndeshjen e tretë të grupit në EURO2024, Shqipëria do të ishte ende në lojë e që ndërkohë do të ishte e treta, jo e fundit në atë që është quajtur botërisht si “grupi i vdekjes” Eksperienca shumë më e madhe e rivalëve në dy ndeshjet e para bëri të sajën kundër nesh, se përndryshe pozicioni ynë sot mund të kishte qenë edhe më i favorshëm. Po ky është futbolli dhe çdo pishman i sotëm është eksperiencë për të nesërmen Sot përballemi me skuadrën më të frikshme të grupit në një mision që në letër është 100% i pamundur. Por topi është i rrumbullakët dhe në darkë të 12 lojtarët kuqezinj, ata në fushë dhe lojtari ynë i 12-të në shkallët e stadiumit, një ndër më fantastikët e këtij Europiani, nuk kanë absolutisht asgjë për të humbur, po vetëm duhet të luajnë e ta shijojnë deri në fund këtë moment magjik që kanë krijuar vetë Cilidoqoftë rezultati i ndeshjes me Spanjën, Kombëtarja jonë e re do të dalë me kokën lart e me një eksperiencë shumë të çmuar në nivelet më të larta sportive, e cila do t’i shërbejë që të rritet, të fitojë besimin dhe personalitetin e domosdoshëm për t’u përballur me sukses në sfidat e këtyre niveleve, duke na dhuruar të tjera kënaqësi të veçanta si kjo e EURO 2024-ës.
/ZËRI
Burimi