Në kërkim për mashtrimet me Call Center, arrestohet në Dubai Erlind Cekaj, pjesë e grupit të Amant Josifit

Në kërkim për mashtrimet me Call Center, arrestohet në Dubai Erlind Cekaj, pjesë e grupit të Amant Josifit

Foto ilustruese

DUBAI- Erlind Cekaj, i cili rezulton i shpallur në kërkim nga SPAK për mashtrimet me Call Center, është arrestuar në Dubai. Cekaj akuzohet për kryerjen e veprës penale të ‘Mashtrimit kompjuterik’, në dëm të shumë personave, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Cekaj është pjesë e grupit të Amant Josifit, i cili gjithashtu strehohet në Dubai, ku dhe u arrestua përkohësisht, për t’u lënë më pas i lirë. Grupi i Josifit akuzohet se iu ka zhvatur përmes mashtrimit një shumë prej 6.1 milionë eurosh, shtetasve gjermanë.
NJOFTIMI I POLICISË
Në bashkëpunim me Interpol Abu Dhabi/Emiratet e Bashkuara Arabe, me datë 20.08.2024, është bërë e mundur arrestimi i personit në kërkim ndërkombëtar Erlind CEKAJ, i biri i Fatos dhe Shqiponja, i datëlindjes 16.07.1996, lindur dhe banues në Bregas, Fier.
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendim penal Nr. 85 datë 18.10.2023, ka caktuar për këtë shtetas masën e sigurisë “Arrest me burg”, për veprën penale, të “Mashtrimit”, “Forma të veçanta të bashkëpunimit”, Grupi i strukturuar kriminal” dhe “ Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 143/b/1-28/4, 333/a, 334 të K. Penal
Përmbledhje e fakteve
Shtetasi Erlind CEKAJ në bashkëpunim me subjekte të tjera që punonin për një kompani të quajtur IT PumaTS/SM Company, të lidhur me kompaninë Milton Group, kanë qenë pjesë e një rrjeti të krimit të organizuar që shfrytëzonin platformat mashtruese, dhe vepronin në mbarë botën dhe drejtohej kryesisht nga qendrat e thirrjeve në Gjeorgji, Ukrainë, Maqedonia e Veriut, Shqipëria etj.
Ky rrjet kriminal në bashkëpunim me platforma të tjera mashtruese si Absolut Global Markets, AurumPro, Finaxis etj, ka mashtruar qindra persona nga vendet e BE-së, duke u shkaktuar atyre miliona euro. Hetimet kanë nisur në vitin 2021 nga disa vende si Spanja, Gjermania, Suedia, Finlanda, Letonia, Ukraina, Gjeorgjia dhe Shqipëria nën koordinimin e Eurojust.

HETIMET
SPAK ka dërguar në vitin 2021 kërkesën për procedim penal me të pandehur shtetasit Adrian Korriku, Irisa Puca, Merxhan Çeliku, Endri Bulku, Erlind Çekaj, të cilët akuzohen për kryerjen e veprës penale të ‘Mashtrimit kompjuterik’, në dëm të shumë personave, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
Shqipëria u bë pjesë e grupit të përbashkët hetimor, në përbërje të së cilës janë autoritetet gjyqësore të Spanjës, Gjermanisë, Suedisë, Finlandës, Letonisë, Ukrainës, Gjeorgjisë, Maqedonisë së Veriut, etj, pas zbulimit se një sërë kompanish kanë kryer aktivitetin e ‘call center’, duke kryer dhe mashtrimet online. në platforma mashtruese të shtetasve europianë.
Autoritetet gjermane dhe partnerët zbuluan shpejt se kompanitë, të cilat kishin zgjeruar veprimtarinë e tyre mashtruese në Shqipëri, Ukrainë, Gjeorgji dhe më tej, ishin nën drejtimin e ‘Milton Group’. Pronari i kësaj kompanie u identifikua si shqiptari Amant Josifi, i cili sipas hetimeve të SPAK në bashkëpunim me ‘Eurojust’ dhe ‘Europol’, konsiderohej personi që drejtonte gjashtë qendra të mashtrimit telefonik në Shqipëri, të cilat ishin lidhur drejtpërdrejt me ‘Milton Group’./ZËRI 
Burimi