GJKKO shtyn seancën ndaj Sali Berishës dhe Jamarbër Malltezit
Sali Berisha në SPAK
TIRANË- Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka shtyrë sërish seancën për ish-kryeministrin Sali Berisha dhe dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi. Kësaj here shkak për shtyrjen ishte mosmarrja e njoftimit për seancën nga Berisha dhe Malltezi. Kështu që data e radhës është lënë më 11 korrik, ora 10:00. Në një prononcim për mediat, avokati i Berishës, Genc Gjokutaj është shprehur se hetimet për çështjen “Partizani” janë shtrirë në një drejtim që nuk ka lidhje me korrupsionin, duke shtuar edhe një herë se pala mbrojtëse kërkon zbutje të masës së sigurisë.
“Ne kërkojmë zëvendësimin e masës sepse mungon çështja në thelb. Këta edhe ta zgjasin afatin, edhe të mos e zgjasin, një çështje që nuk ka një fabul akoma të përshkruar nga prokuroria, sigurisht që nuk duhet zgjatur, por duhet marrë zgjidhja ligjore që është pushimi i hetimeve. Ata duhet t’i thërrasin mendjes se edhe sikur të bëjnë një tjetër zgjatje të sforcuar, ata nuk kanë gjë në inventar në kuptimin e provave. I bëj thirrje që të ndërmarrin një veprim ligjor të duhur njëherë në jetë sepse hetimet janë shtrirë në një drejtim që nuk ka lidhje me korrupsionin,”-tha Gjokutaj.
Sali Berisha ndodhet në masën e sigurisë “Arrest shtëpie”, dhënë nga Gjykata e Posaçme, pasi Berisha refuzoi të respektonte masën më të lehtë të sigurisë të dhënë më herët nga GJKKO, atë të “Detyrimit të paraqitjes”. Berisha akuzohet për korrupsion pasiv në lidhje me privatizimin e ish-kompleksit sportiv “Partizani”. Po në “Arrest shtëpie”, ndodhet dhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi. Ky i fundit akuzohet për “Korrupsion aktiv”, dhe “Pastrim parash”. Berisha dhe më herët ka kërkuar përjashtimin nga gjykimi të Irena Gjokës, por dhe leje për të shkuar në Kuvend, të dyja janë hedhur poshtë./ZËRI
Burimi