
Persekutimi i Drita Çomos që vdiq e vetme, as nënën nuk ia lejuan pranë! Një jetë në internim dhe ikja e saj parakohshme
Muzeu Kombëtar “Shtëpia me gjethe” përkujtoi dje poeten Drita Çomo (19 mars 1958 – 19 shkurt 1981). Për shkak të frikës nga regjimi komunist, ajo nuk mori guximin t¼i ndante poezitë e saj me të tjerët duke i lënë ato në sirtar, deri sa panë dritën e botimit vetëm në vitin 1997.
“Dritë që vjen nga humnera” ishte një përmbledhje e poezive dhe shënimeve nga ditari i saj. Lindi në Tiranë, në vitin 1958. Në nëntor 1960, në moshën dyvjeçare, u internua, për shkak të dënimit politik të nënës së saj, Liri Belishovës. I ati, Maqo Çomoja, u dënua dhe u ridënua. Një pjesë të fëmijërisë dhe të adoleshencës e kaloi e internuar në Kuç të Vlorës e më pas në Progonat të Kurveleshit.
Së fundi u internua në Cërrik, ku dhe mbaroi shkollën e mesme, por për shkak të sëmundjes së rëndë dhe të keqdashjes, nuk arriti të kryente maturën. Vdiq fill e vetme në moshë fare të re, më 19 shkurt 1981, në Spitalin Onkologjik të Tiranës: as në grahmat e fundit nuk iu lejua që të kishte pranë të ëmën. Që nga 9 prilli i vitit 2012 shkolla 9-vjeçare e qytezës së Cërrikut mban emrin «Drita Çomo».
PERSEKUTIMI
Si shumë të tjerë në atë periudhë, edhe ajo vuajti pasojat e regjimit të egër komunist. Ishte vetëm dy vjeçe kur u përcaktua që ajo të mbetej e vetme. Prindërit e saj u dënuan. E ëma, Liri Belishova, një nga udhëheqëset e rinisë gjatë Luftës Antifashiste dhe për një kohë anëtare e Byrosë Politike, njëkohësisht një nga gratë më të njohura të vendit, u përball me internimin për rreth njëzet vite. Ndërkaq, i ati Maqo Çomo, udhëheqës partizan dhe më vonë ministër i Bujqësisë, u dënua si “revizionist” dhe u persekutua në burgje e internime për 30 vjet.
Kështu, fati i Drita Çomos ishte padrejtësisht i ngjashëm me atë të prindërve të saj. Ajo u internua në Kuç të Vlorës ku kaloi një pjesë të fëmijërisë dhe më pas në Progonat të Kurveleshit. Më vonë, ajo u dërgua në Cërrik ku kreu edhe shkollën e mesme. Ishte një nxënëse e shkëlqyer, megjithëse mësuesit nuk e vlerësuan kurrë maksimalisht. Ajo madje nuk arriti as të mbronte diplomën. Kjo për arsye politike, por edhe për shkak të sëmundjes së saj të pashërueshme që avanconte dita-ditës. Drita Çomo u largua nga jeta fare e re, në moshën 23 vjeçare.
Më 19 shkurt 1981, sëmundja e mposhti përfundimisht. Ajo vdiq në spitalin onkologjik në Tiranë, ashtu sikurse edhe jetoi: e vetme, pa dikë afër në grahmat e fundit. Regjimi nuk ia lejoi të kishte pranë as njeriun më të dashur, nënën e saj. Në nderim të figurës së saj, në Cërrik është ngritur një bust për të. Po ashtu në të njëjtin qytet, një shkollë mban emrin e saj. Drita Çomo është përkujtuar gjithashtu nëpërmjet një dokumentari të realizuar dhe shfaqur në vitin 2008.
/Gazeta Panorama
NDIQE LIVE “PANORAMA TV”
© Panorama.al
Burimi