“Jetojmë në një sistem të bazuar te korrupsioni”- Arlind Qori: Jemi të fundit në Europë për nivelin e pagave dhe pensioneve, ja pse nuk protestohet
Arlind Qori, kreu i Lëvizjes Bashkë tha se Qeveria ka në plan të rrisë pagat për nëpunësit publikë, ndërkohë që pjesa më e madhe e shqiptarëve punojnë në sektorin privat.
I ftuar nw emisionin “Open” nw News24, Qori tha se Shqipëria ka një nivel shumë të ulët për pensionet, duke u renditur të fundit jo thjesht në Rajon, por edhe në Europë.
“Mësuesi sot që flasim merr 600 mijë lekë të vjetra dhe është i detyruar që të bëjë edhe një punë tjetër, për të përballuar kostot e jetesës.
Ne jetojmë në një sistem të bazuar te korrupsioni dhe ata që kanë pushtetin politik mendojnë se si të vjedhin.
Jemi një nga vendet e fundit në Europë për pagat dhe pensionet.
Kryeministri deklaron se kemi 4 mld euro të ardhura nga turizmi, atëherë si ka mundësi që nga këto 4 mld euro nuk pikon asgjë për rritjen e pensioneve”, tha Qori.
Ai u shpreh se shumica e pensionistëve që kanë punuar nga 40 vjet marrin 100 mijë lekë të vjetra në muaj.
I pyetur sepse njerëzit nuk dalin në protesta, Qori tha se janë disa faktorë.
“Njerëzit kanë frikë, por me mijëra shqiptarë kanë ikur nga Shqipëria. Janë mbi 50 % e shqiptarëve që jetojnë jashtë Shqipërisë, ndërkohë që Ukraina është në luftë dhe janë larguar jo më shumë se 1/5 e ukrainasve. Po gjithashtu njerëzit nuk e ndjejnë veten të përfaqësuar te opozita e vjetër.
Të vetmit që kemi organizuar protesta jemi ne si Lëvizja Bashkë. Modeli dhe strukturimi i keq i ekonomisë shqiptare është një tjetër pengesë për pjesëmarrjen në protesta. Këtu nuk ka sindikata të fuqishme, sepse këtu nuk ka industri”, tha Qori.
NDIQE LIVE “PANORAMA TV”
© Panorama.al
Burimi