“Zonjë këtu kanë vdekur njerëz, ministrja të dorëhiqet!”/ Rakipi dhe Sejamini përplasen ashpër me Klodiana Lalën

“Zonjë këtu kanë vdekur njerëz, ministrja të dorëhiqet!”/ Rakipi dhe Sejamini përplasen ashpër me Klodiana Lalën

Në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, ka patur debate të forta lidhur me skandalin që ka shpërthyer në spitalin Onkologjik, ku Prokuroria ka zbuluar se disa mjekë kishin ngritur skemë për të zhvatur pacientët e sëmurë me kancer. 
Klodiana Lala: Njëri nga mjekët e ka ngritur këtë shqetësimin e pajisjes që lëshon rrezatim. Ka reaguar për një kohë të gjatë. Pastaj iku nga puna dhe dha dorëheqjen. Çka do të thotë, që edhe ata individë që kanë reaguar….
Neritan Sejamini: Ti po ngatërron politikat publike me drejtësinë penale.
Klodiana Lala: Kush e tha përgjegjësinë penale? Le të mbajë përgjegjësi për atë që ka bërë. Le të mbajë përgjegjësi dhe i dhashë argumentat. Brenda sistemit ka mjekë që kanë bërë biznes me vdekjen por ka edhe mjekë të tjerë që janë të ndershëm.
Ylli Rakipi: Nuk e kemi për këta emisionin, nuk e kemi për doktor Alimehmetin që nuk vjedh dhe nuk bën pazar me vdekjen.
Klodiana Lala: Ky është një grup i strukturuar kriminal i cili ka vrarë njerëz brenda Onkologjikut, ka bërë pazar me barna. Por nga ana tjetër, ky grupi këtu apo grupe të tjera, kanë vepruar nën syrin e autoriteteve dhe askush nuk ka reaguar.
Neritan Sejamini: Kur thua e ka fajin sistemi, i bie që drejtësinë penale ta shkrijmë në Shqipëri dhe të themi e ka fajin sistemi. Vjedh Hasani, e ka fajin sistemi. Vjedh Monika, e ka fajin sistemi. Vret Manushaqja, e ka fajin Edi Rama. JO! Drejtësia penale është individuale, krimin e bën individi. Kurrë nuk mund të justifikohet individi në emër të sistemit, se ka bërë një krim. Nazizmi e zgjidhi këtë problem, u dënuan si individë, nuk u justifikua njeri që më dënonte Hitleri dhe ishte sistemi. Edhe kur janë mbajtur përgjegjësi për krimet e komunizmit, kanë mbajtur përgjegjësi si individë. Është tezë e rrezikshme sepse justifikon vjedhjen.
Klodiana Lala: Jo pra jo, po them që mjekët duhet të hetohen, por nuk kanë të vetmi përgjegjës në këtë histori. Pse mendoni se janë vetëm këta mjekë përgjegjës?
Ylli Rakipi: Është e gjitha, janë më shumë lart. Ministrja e Shëndetësisë nuk duhet të dilte në Parlament të fliste për fetusin por të kishte dhënë dorëheqjen për Onkologjikun. Sepse zonjë kanë vdekur njerëz!
Neritan Sejamini: Kështu edhe Veliaj mund të thotë jam viktimë e Edi Ramës. Edhe zoti Tahiri mund të thotë më falni se jam viktimë e Edi Ramës. Pra, diskutimi i sistemit bëhet në analizat e politikave publike, nuk është ky momenti. Por, sa të ketë qeveri, ka gjithmonë një hapësirë për të vjedhur.
Burimi