Skandali te Onkologjiku, gazetarja zbulon detaje: Hetimi nisi në 2023, janë kryer operacione pa qenë nevoja vetëm për para

Skandali te Onkologjiku, gazetarja zbulon detaje: Hetimi nisi në 2023, janë kryer operacione pa qenë nevoja vetëm për para

Gazetarja Glidona Daci ka treguar detaje nga megaskandali në spitalin Onkologjik, ku mjekët dhe punonjës të spitalit abuzonin me detyrën, duke krijuar vështirësi për pacientët e prekur nga kanceri.
Ajo tha se hetimet kanë nisur në vitin 2023, ndërsa shton se çështja ka nisur për tregtimin e ilaçeve kontrabandë, por nga përgjimet rezultoi edhe skandali ku përfshihen mjekët e Onkologjikut.
Daci tha se hetimet, nga SPAK kanë kaluar te Prokuroria e Tiranës, për shkak se u vlerësua se nuk kishin të bënin me korrupsion, por me shpërdorim detyre. Ajo ka sqaruar se në këtë çështjes janë përfshirë edhe agjentë të infiltruar.
“Kupola e onkologjikut ka funksionuar si sekserë, që drejtonin pacientët në klinika private. Çfarë ka ndodhur?
Një pacienti që i dilte shkalla 2, pas analizave, këta ia çonin 10, duke ua thënë pacientëve që meqë kushtet në spitalin shtetëror nuk mund të realizoheshin shpejt, atëherë duhej të shkonin në privat.
Këtu i udhëzonin në cilin spital duhej të shkonin. Çfarë doli nga hetimet? Edhe në rastet kur qytetarët i blinin vetë flakonët, mjekët nuk ua bënin. Nga hetimet e prokurorisë rezultoi se mjekët talleshin me jetët e qytetarëve. Nga përgjimet ka dalë që me operacionet që bënin, do të bënin pushimet në Maldive apo Tajlandë”, tha Daci për “News 24”.
Sipas gazetares, më e tmerrshmja në këtë histori është se janë futur njerëz në operacion që nuk kishin nevojë për një ndërhyrje të tillë, teksa shton se kjo është bërë vetëm e vetëm që pacientëve apo familjarëve të tyre ti merreshin paratë.
Ajo tha se ka pasur raste kur ata që kishin para më shumë siguronin më shpejt flakonët, ndërsa të tjerët qëndronin në pritje pavarësisht radhës apo gjendjes së tyre shëndetësore.
Burimi