Mandati i Xhaçkës, Bardhi shpërthen ndaj Ramës: Puç kushtetues, u ekzekutua përfundimisht Reforma në Drejtësi
Gazment Bardhi
Kreu i Grupit të PD-së, Gazment Bardhi ka reaguar ashrpër pas vendimit të Partisë Socialiste që abstenoi votimin në Kuvend, duke penguar kalimin në Gjykatën Kushtetuese të çështjes së mandatit të ish Ministres së Jashtme, Olta Xhaçka.
Deputeti demokrat e ka konsideruar një “puç kushtetues të Kuvendit’, duke theksuar se u injorua autoriteti i Gjykatës Kushtetuese.
Sipas Bardhit injorimi i Gjykatës Kushtetuese nuk ka ndodhur kurrë në 34 vjet, duke bërë që Shqiëpria të mos ketë asnjë dallim me regjimet diktatoriale.
‘Me votë politike të Edi Ramës në Kuvend dje u ekzekutua përfundimisht Reforma në Drejtësi. Puçi kushtetues i Kuvendit duke injoruar autoritetin e Gjykatës Kushtetuese është i pandodhur kurrë në 34 vjet, i paprecedent dhe i denjë vetëm për regjimet diktatoriale.’, thotë Bardhi.
Bardhi thotë se dje PS, shkelmoi parimet elementare të shtetit ligjor.
“Shteti personal nuk ka asnjë lidhje me shtetin ligjor. Një vend kandidat për në BE dhe një vend anëtar i NATO-s ka shkelmuar para çdo shqiptari dhe ndërkombëtari parimet elementare të shtetit ligjor. Nga dje Shqipëria nul ka asnjë dallim me vendet autoritare!”
Duke dënuar aktin e djeshëm në Kuvend, Bardhi thekson se PD do të ndërmarrë çdo hap të nevojshëm për të mbrojtur demokracinë dhe shtetin ligjor.
“GPPD dënon me forcë aktin e djeshëm të Kuvendit dhe të Edi Ramës, për t’i dhënë statusin e paprekshme nga drejtësia bashkëpunëtores së tij dhe garanton se do të ndërmarrë çdo hap të nevojshëm për të mbrojtur demokracinë dhe shtetin ligjor”., shprehet ai.
Mbrëmjen e djeshme, maxhoranca socialiste mbrojti me votë kolegen Olta Xhaçka duke mos miratuar mocionin e 1/10 së deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë për dërgimin në Kushtetuese të kërkesës për papajtueshmëri mandati.
25 deputetë demokratë votuan pro, ndërsa 9 socialistë kundër, 65 të tjerë shtypën butonin e abstenimit duke bërë që projektvendimi të mos merrte votat e nevojshme për miratim.
Elisa Spiropali u mundua të shfajësonte veprimin e maxhorancës duke u shprehur se Kuvendi ka ndjekur të gjithë procedurën kushtetuese dhe përballë kësaj situate, u shpreh se do t’i drejtohet Komisionit të Venecias për të marrë një opinion ligjor, një veprim të cilin socialistët e kishin paralajmëruar muaj më parë.
Me këtë votim, Kuvendi për herë të dytë radhazi refuzoi zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila dy herë ishte shprehur me vendim duke nënvizuar se parlamenti është i detyruar të miratoje mocionin e 1/10 së deputetëve.
Sipas votimit, socialistët e shprehur me votë kundër janë Damian Gjiknuri, Bledar Çuçi, Jyrgis Çyrbja, Anduel Tahiraj, Paulin Sterkaj, Petro Koçi, Shkelqim Bullari, Bujar Çela dhe Klodiana Spahiu.
Vetë Olta Xhaçka ishte në sallë gjatë momentit të votimit, por nuk mori pjesë në të.
gazment bardhi spak olta xhaçka
Burimi