Hyn në fuqi vendimi! Bonusi i fundvitit për pensionistët tërhiqet nga java e dytë e dhjetorit deri në qershor 2025
Ka hyrë në fuqi vendimi i qeverisë për shpërblimin e fundvitit për 724 mijë pensionistë, nga të cilët 511 mijë do të marrin 15 mijë lekë shpërblim pasi kanë pension mujor nën 20 mijë lekë dhe pjesa tjetër prej 213 mijë do të marrin 10 mijë lekë bonus pasi kanë pension mbi 20 mijë lekë.
Shpërblimin e fundvitit do ta përfitojnë personat me pension pleqërie, invaliditeti, pension familjar, social, ata me pension të parakohshëm, ish minatorët, ushtarakët, ato që janë përfitues të ndonjë trajtimi të financiar, apo me shpërblimin financiar, si veteranë të LANÇ-it etj.
Në vendim thuhet se shpërblimet kalohen në llogaritë e pensionistëve në muajin dhjetor 2024 dhe paguhen gjatë këtij muaji. Pra së bashku me pensionin mujor të gjithë përfituesit do të marrin edhe shpërblimin e fundvitit i cili mund të tërhiqet deri në 30 qershor 2025 dhe më pas ai digjet.
“Në rastet kur pagesat efektive nuk kryhen brenda muajit dhjetor 2024, ato paguhen deri në datën 30.6.2025. Shpërblimet e pa tërhequra parashkruhen pas datës 30.6.2025”, thuhet në vendim.
Pagesat e shpërblimit të fundvitit do të mund të tërhiqen në të njëjtin vend ku merret edhe pensioni, pranë ISSH, Postës shqiptare dhe bankave të nivelit të dytë.
Fatura e bonusit të fundvitit është përllogaritur 9.8 miliardë lekë, ku 3.6 miliardë lekë ishin të planifikuara në buxhet, 2.4 miliardë lekë janë të mbartura nga indeksimi më i ulët se vjet dhe mbi 3.7 miliardë lekë merren nga buxheti i shtetit dhe buxheti i planifikuar për sigurimet shoqërore, për vitin 2024.
Burimi