“E piva kafen e helmët pa ty”, Timo Flloko poezi për Kadarenë: Pse vijnë gjenitë dhe ikin nga kjo botë?!
Aktori Timo Flloko ka kujtuar ndryshe gjeniun Ismail Kadare, i cili ndërroi jetë. Ai ka publikuar një poezi të tij, në nder të shkrimtarit.
Bashkangjitur me poezinë, aktori ka ndarë edhe një fotografi të veçantë përkrah kolosit të letrave shqipe, në një nga momentet e tyre së bashku.
Në vargjet kushtuar letrarit, të quajtur Kadare, në kllapa “Requiem”, që në latinisht do të thotë “Meshë e Kishës Katolike”, Flloko e nis poezinë duke përshkruar ditën me dhembjen e madhe pa gjeniun e letrave shqipe.
Edhe kafen e preferuar të Kadaresë, aktori e përshkruan si shkretëtirë. Ndërsa ndarjen e tij nga jeta e cilëson si zbarzëti në zemrat e mijëra personave që e donin atë si personazh dhe si shkrimtar.
KADARE (Requiem)
Nga Timo Flloko
E piva kafen e helmët pa ty, këtë mëngjes,
Dhembjen, fillikat, me kë ta ndaja,
Chateau Juvenilja tek e shoh më ngjan,
Më shkretëtirë se Saharaja…
Ike heshtjes si gjigant, i menduar,
(Bëre vallë pakt të fshehtë me ikjen?!)
Le bosh pas vetes, në mijëra zemra,
Zbrazëti pa skaj, apokaliptike…
(Pse vijnë gjenitë dhe ikin nga kjo botë..?!)
Ikja jote është shtegtim qiellor,
Vdekjen s’mund as ta imagjinoj dot!
Mortin s’mund ta marr as me mend..
Një zog erdh’ a m’u faneps
Fluturimin ndali, u ul në vendin tënd,
(Të ish hij’ e Nobelit ai udhëhumbës,
Me pendesën në vete, një gjasë aq e rrallë,
U nis por mbërriti vone, nga erërat që frynin,
Korb u bë nga mërzia, se s’të gjeti gjallë…)
U përmenda ne fund, humbës në atë bosh,
Hodha sytë në qiell, përtej, te e panjohura,
Me pafundësinë u shkri, atje përjetshëm,
Shpirti yt shtegtar që kapërcen kohërat.
Burimi