Cili është plani i Trump për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë?!
Këshilltarët e Trump nxjerrin për herë të parë planin që mund të sjellë paqe mes Ukrainës dhe Rusisë…
Ukraina do të marrë armë amerikane vetëm nëse ulet për të negociuar me Moskën, por nëse Rusia nuk bën të njëjtën gjë, fluksi i ndihmës për Kievin do të rritet.
Kjo është ajo që parashikohet nga plani i hartuar nga dy këshilltarë të rëndësishëm të Donald Trump, për t’i dhënë fund konfliktit që filloi më 22 shkurt 2022, në rast se ai bëhet president.
Për të bindur carin rus që të negociojë, plani parashikon gjithashtu një armëpushim që do të zbatohet duke ‘ngrirë’ vijën e frontit dhe duke pezulluar integrimin e Ukrainës në NATO.
Detajet u zbuluan në një intervistë për Reuters nga dy autorët, gjenerali Keith Kellogg dhe Fred Fleitz – afër ‘skifterit’ John Bolton, ish-ambasador amerikan në OKB. Nëse zbatohet, plani do të shënonte një ndryshim vendimtar të qëndrimit nga ana e Shteteve të Bashkuara, e cila deri më tani ka dërguar ndihma ushtarake në shumën 70 miliardë dollarë. Në fakt, shumë analistë besojnë se një propozim i tillë do të favorizonte Rusinë në tryezën e bisedimeve.
“Ajo që Kellogg dhe Fleitz po propozojnë”, shpjegoi Daniel Fried, një ish-zëvendës Sekretar i Shtetit që ndoqi dosjet ruse, “është një proces që do ta çonte Ukrainën t’i dorëzonte të gjitha territoret e pushtuara”.
Zëdhënësi i ish-presidentit, Steven Cheung, sqaroi se vetëm deklaratat e autorizuara nga fushata zgjedhore duhet të konsiderohen zyrtare, duke shtuar se një negociatë e shpejtë për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë do të jetë një prioritet i mandatit të dytë të Trump . “Kjo luftë nuk do të kishte ndodhur kurrë nëse ai do të kishte qenë president. Është shumë e trishtueshme”, tha Cheung.
Kandidati republikan ka pohuar shpesh se ai mund t’i jepte fund luftës. “Brenda një ditë”, tha ai dikur, pa hyrë në detaje. Prandaj, plani i dy këshilltarëve është propozimi i parë konkret i paraqitur nga njerëz të afërt me Trump. “Ne duhet t’u themi ukrainasve se ata duhet të vijnë në tryezë, përndryshe mbështetja e SHBA do të bjerë në mënyrë progresive”, shpjegoi gjenerali Kellogg. “Në të njëjtën kohë, ne duhet t’i themi Putinit se ai duhet të ulet në tryezë, përndryshe ne do t’u japim ukrainasve gjithçka që u nevojitet për ta mposhtur atë në fushë”, shtoi ai.
Sipas Fleitz, Ukraina nuk do të duhet domosdoshmërisht të heqë dorë nga territori, por ai beson se nuk ka gjasa të rimarrë kontrollin e të gjitha rajoneve të saj në një afat të shkurtër. “Frika jonë,” shpjegoi ai për Reuters “është se lufta në Ukrainë do të bëhet një luftë rrënimi, një lloj lufte që vret një brez të tërë”. Për të ruajtur paqen, besojnë dy autorët, do të nevojiten edhe garancitë e sigurisë për Kievin, të cilat, sipas fjalëve të Fleitz, do ta bëjnë të nevojshme “armatosjen e Ukrainës deri në dhëmbë”. /Përshtati “Pamfleti” nga “Corriere della Sera”
Burimi