Angela Merkel: Ka vetëm një rrugë që sjell paqe në Ballkan

Angela Merkel: Ka vetëm një rrugë që sjell paqe në Ballkan

Angela Merkel, Vuçiç dhe Hashim Thaçi

“Isha dhe mbetem e bindur se vetëm anëtarësimi i të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE mund të sigurojë bashkëjetesë të qëndrueshme dhe paqe në rajon. Sado e vështirë të jetë rruga për të arritur atje, ajo duhet ndjekur “.
Janë fjalët e ish-kancelares Angela Merkel në autobiografinë e saj të titulluar  “Liria: kujtime 1954-2021” ku ndër të tjera përmend Kosovën, Serbinë dhe Ballkanin.
Në librin e publikuar së fundmi, Merkel kujton bombardimet e NATO-s kundër forcave serbe, që siç thotë u treguan brutale ndaj popullsisë shqiptare në Kosovë.
Duke cituar bisedime me zv. kancelarin Sigman Gabriel dhe kreun e diplomacisë gjermane Frank-Walter Steinmeier Merkel thotë se çështja më shqetësuese për ta ishin tensionet e përhershme mes Kosovës dhe Serbisë.
“Edhe në vitin 2014, 100 vjet pas fillimit të luftës së parë botërore paqja në rajon ishte e brishtë”, shkruan ish-kancelarja Merkel.
Ish-kancelarja gjermane, Angela Merkel, dikur cilësohej si gruaja më e fuqishme në botë në librin e saj ka folur edhe për Ukrainën, kërcënimin bërthamor të Vladimir Putin dhe marrëdhënien me Donald Trump.
Angela Merkel udhëhoqi Gjermaninë për 16 vjet. Ajo ishte atje gjatë krizës financiare, krizës së emigrantëve të vitit 2015 dhe, në mënyrë të konsiderueshme, pushtimit të Ukrainës nga Rusia në vitin 2014.
Ajo thotë se beson se lufta në Ukrainë do të kishte filluar më shpejt dhe ka të ngjarë të ishte më e keqe, nëse Kievi do të kishte nisur rrugën drejt anëtarësimit në NATO në 2008.
“Ne do të kishim parë një konflikt ushtarak edhe më herët. Ishte plotësisht e qartë për mua se presidenti Putin nuk do të kishte qëndruar duarkryq dhe të shihte Ukrainën të bashkohej me NATO-n. Dhe në atë kohë, Ukraina si vend me siguri nuk do të ishte aq e përgatitur sa ishte në shkurt 2022.”
Për këtë presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky nuk është dakord.
Ai e përshkruan vendimin e zonjës Merkel për moslejimin e anëtarësimit të Ukrainës në NATO, të mbështetur nga presidenti i atëhershëm francez, Nicolas Sarkozy, si një “llogaritje të gabuar” të qartë që trimëroi Rusinë.
Burimi