PD denoncon: Godina e Agjencisë së Trajtimit të Pronave, kurbani i radhës për të ngritur një grataçelë
Anëtari i kryesisë në Partinë Demokratike, Grigels Muçollari, në një deklaratë për mediat është shprehur se godina e Agjencisë së Trajtimit të Pronave do bëhet kurban i radhës, pasi në vend të saj është menduar të ngrihet një kullë shumëkatëshe.
Deklarata:
Edhe godina e Agjencisë së Trajtimit të Pronave do bëhet kurban për të ngritur një grataçelë! Qytetarët e Tiranës nuk duhet ta lejojën Rramën të sillet si pronar i vendit
Ndodhemi në njësinë 7, në qytetin e Tiranës.
Kjo godina shtetërore këtu pas meje, Agjencia e Trajtimit të Pronave, në një nga zonat emblematike të Tiranës këtu pranë Inxhinierisë së Ndërtimit, është në tjetër kurban në planet e Edi Ramës, që do të flijohet për t’u bërë një grataçelë. Në një proces jo-transparent, pa garë, me fitues të paracaktuar, një mik apo klient i kryeministrit, do ta ketë shansin të bëjë një biznes me fitim të paktën 40 milionë euro.
Por kjo godinë, ashtu si dhe të tjerat që janë pjesë e këtij pazari të ri, që ne ua kemi bërë të ditur këto kohë, nuk është pronë e Edi Ramës.
Është pronë e pasuri e qytetarëve të Tiranës e të Shqipërisë që kanë punuar e kontribuar në këtë vend prej vitesh.
Banorët e kësaj zone, dhe qytetarët në përgjithësi nuk përfitojnë asgjë nga kjo skemë. Kjo sepse çmimet në këtë grataçelë do të jenë shumë të larta, të praprekshme nga njerëzit e zakonshëm, nga një çift të rinjsh që duan të krijojnë familje, apo nga shumë vetë që janë në nevojë strehimi.
E gjitha, është thjeshtë një mundësi e re pasurimi për një grusht njerëzish, dhe një gropë e re për pastrimin e parave të pista.
Grataçelat e Ramës dhe miqve të tij, nuk e ndihmojnë Tiranën në shtimin e gjelbërimit, as të hapësirave, as në pastrimin e ajrit.
Përkundrazi, dëmtojnë edhe më shumë qytetin, cilësinë e jetës dhe oksigjenin që thithim çdo ditë.
Qytetarët e Tiranës nuk duhet ta lejojnë Edi Ramën të sillet si pronar i vendit, i pronave dhe trojeve shtetërore e publike. Ne duhet ta ndalim këtë aferë të re të kryeministrit, në fund të mandatit të tij.
Të bashkohemi e të ngremë zërin, të tregojmë vendosmëri në luftën ndaj korrupsionit. Me 11 korrik, në orën 20.00 në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’.
Burimi