![PD kërkon interpelancë me Kryeministrin për pagesën ndaj Becchettit](https://lajmidites.com/wp-content/uploads/thumbnails/2024/12/pd-kerkon-interpelance-me-kryeministrin-per-pagesen-ndaj-becchettit_674dd3d0b8606.webp-730x440-lajmidites.com.webp)
PD kërkon interpelancë me Kryeministrin për pagesën ndaj Becchettit
PD kërkon interpelancë urgjente me Kryeministrin për pagesën ndaj Becchetti
Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka kërkuar interpelancë urgjente me Kryeministrin lidhur me ekzekutimin e pagesës prej 110 milionë eurosh nga shteti shqiptar në favor të biznesmenit Francesco Becchetti.
Opozita e konsideron këtë çështje një skandal financiar dhe kërkon përgjigje të menjëhershme mbi përgjegjësinë qeveritare në humbjen e çështjes në arbitrazh dhe pasojat që dëmshpërblimi për biznesmenin italian ka për ekonominë e vendit.
“Megjithëse, Kryeministri Edi Rama dhe ish-Ministri i Financave Arben Ahmetaj e kanë mohuar në vazhdimësi se Shqipëria do të paguante dëmshpërblimin prej 110 milionë euro sipërmarrësit Becchetti dhe ortakëve të tij, proceset e iniciuara nga qeveria shqiptare pranë ICSID dhe tribunaleve të tjera ndërkombëtare nuk arritën të prodhonin asnjë ndryshim, sa i përket detyrimit të qartë të shtetit shqiptar për shlyerjen e plotë të faturës financiare të mbylljes dhe shkatërrimit të televizionit Agonset. Në javën e dytë të nëntorit, mediat shqiptare raportuan gjërësisht se një përmbarues belg kishte arritur të ekzekutonte vlerën e plotë të dëmit në favor të biznesmenit italian nëpërmjet fondeve të Albcontrol, që mbaheshin të bllokuara në llogarinë e Eurocontrol prej dhjetorit 2020. Sipas raportimeve mediatike, në 12 nëntor 2024, Eurocontrol ka njoftuar zyrtarisht qeverinë shqiptare dhe kompaninë Albcontrol për kryerjen e ekzekutimit të plotë të vendimit të ICSID.
Megjithatë, deri në datën e paraqitjes së kësaj kërkese, nga ana e qeverisë shqiptare dhe kompanisë Albcontrol nuk ka pasur asnjë reagim a qëndrim zyrtar sa i përket vërtetësisë së raportimeve mediatike dhe në funksion të transparencës së plotë me taksapaguesit shqiptarë, të cilët për shkak të veprimeve arbitrare e të paligjshme të kryera nga zyrtarë të lartë të shtetit shqiptar, si Kryeministri, Kryebashkiaku i Tiranës dhe Sekretari i Përgjithshëm i qeverisë duhet të shlyejnë faturën më të lartë në historinë e arbitrazheve ndërkombëtare me palë shtetin shqiptar. Qeveria dhe kompania Albcontrol kanë për detyrë të informojnë Kuvendin e Shqipërisë, dhe nëpërmjet tij qytetarët shqiptarë lidhur me vërtetësinë e këtij procesi, përgjegjësit dhe pasojat e këtij dëmi kaq të lartë financiar.
Prandaj, duke pasur parasysh sa më sipër, në cilësinë e kryetarit të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, në mbështetje të nenit 80 të Kushtetutës së Shqipërisë dhe neni 97 të Rregullores së Kuvendit, kërkojmë zhvillimin e një interpelance urgjente me Kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama, me qëllim dhënien e informacioneve dhe shpjegimeve të detajuara lidhur me ekzekutimin e vendimit “Becchetti dhe të tjerë kundër Shqipërisë”, të Qendrës për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve të Investimeve (ICSID)”, thuhet në kërkesën e PD drejtuar kryetares së Kuvendit.
i.b./dita
Burimi