Ndodh për herë të parë, një person në paraburgim do të dëshmojë në Komision parlamentar
Ish-zv.ministri i Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj, do të dëshmojë ditën e nesërme në Komisionin Hetimor Parlamentar të Shëndetësisë. Rrjepaj ndodhet në burg për koncesionin e sterilizimit por mesa duket Prokuroria e Posaçme ka dhënë lejen që ai të paraqitet fizikisht në komisionin për t’u marrë në pyetje për koncesionin e sterilizimit.
Kjo vërtetohet edhe nga fakti se në pikat e rendit të ditës së Komisionit hetimor për Shëndetësinë, një ndër emrat që parashikohet të dëshmojë, dhe renditet, është Klodian Rrjepaj duke u bërë rasti i parë që një i paraburgosur merret në pyetje nga deputetët.
Në pyetje do të merren edhe dy prej anëtarëve të komisionit që shpalli fituesin e koncesionit, Marsela Serjani dhe Petro Mersini. Të dy janë në masë detyrim paraqitjeje, por edhe për ta SPAK ka dhënë leje që të pyeten nga Komisioni. Po ashtu më 3 tetor është parashikuar që të merret në pyetje edhe ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj, ndërsa pritet të dëshmojë edhe biznesmeni Ilir Rrapaj.
Arrestimi i Beqajt dhe abuzimi me fondet e SASPAC
Lidhur me aferën me abuzimet e fondeve të SASPAC, më 4 korrik u vu në pranga Ilir Beqaj dhe veç tij në pranga u vu dhe Ermal Kurtulaj, krahu i tij i djathtë dhe Alfred Nikolla. Beqaj u arrestua lidhur me shpërdorimin e fondeve të BE-së, përmes agjencisë SASPAC, të cilën ish-ministri i Shëndetësisë e drejtonte, edhe pse më parë ndaj tij, SPAK kishte nisur hetimet lidhur me koncesionet në shëndetësi. Përmes një deklarate, SPAK sqaroi se nga hetimet rezultoi se kur drejtonte Agjencinë SASPAC, ka ngritur skemë përfitimi me fatura dhe procedura prokurimi fiktive, duke zhvatur fondet e BE (Programi IPA II).
Sipas Prokurorisë së Posaçme, fondet për aktivitetet e agjencisë SASPAC shkonin te fituesit e paracaktuar sipas urdhrave dhe direktivave që jepte Beqaj. Në funksion të kësaj skeme, thotë SPAK, Beqaj ka bashkëpunuar me Ermal Kurtulaj, financieri dhe bashkëpunëtori i ngushtë i tij. Restoranti “Gzona’ brenda në Kalanë e Tiranës, sipas SPAK, ndonëse ka për administrator një person tjetër, është pronë e fshehur e Beqajt. SPAK thekson se Beqaj ka investuar te restorant “Gzona” prej vitit 2019 shumat 21 411 euro dhe 4 666 110 lekë të reja për blerjen e pajisjeve dhe 34 783 euro si shpenzime qiraje.
j.l./ dita
Burimi