Ministrja Koçiu flet për “Onkologjikun”, deputetët e opozitës i bien tavolinave: Jep dorëheqjen!
Ka nisur me një minutë heshtjeje seanca plenare në Kuvend.
Sot është përkujtuar dita kundër gjenocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë, ku deputetët dhe ministrat kanë kujtuar viktimat e rëna.
Më pas seanca ka nisur me debate pasi kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla lajmëroi se kërkesa e Partisë Demokratike për interpelancë me kryeministrin Edi Rama për hapësirat publike të uzurpuara, ishte refuzuar.
Bardhi akuzoi Nikollën se ka shkelur Kushtetutën dhe rregulloren e Kuvendit, pasi sipas është kthyer në traditë refuzimi i interpelancave me Ramën.
Ai u shpreh se ministrat nuk denjojnë të kthejnë përgjigje kërkesave të deputetëve të opozitës nga ministrat përkatës, po ashtu ka dy muaj që nuk e dimë se kush është ministër i financave pasi nuk vjen në seanca parlamentare.
Deputetja demokrate Albana Vokshi solli sot në Kuvend skandalin tek spitali i Onkologjikut pranë QSUT.
Sipas Vokshit tre ministrat Koçiu, Manastirliu dhe Manja duhet të ishin dorëhequr ose shkarkuar në lidhje me ngjarjen.
Ajo tha se të gjithë kishin dijeni për skandalin, dhe asnjë nuk ka reaguar.
Ministrja e Shëndetësisë, Albana Koçiu gjithashtu komentoi skandalin gjatë fjalës së saj në interpelancën e kërkuar nga deputeti Tritan Shehu.
“Padiskutim abuzimi i rëndë m detyrën i një grupi farmacistësh, dhe staf mjekësor që kanë luajtur me njerëzit dhe shëndetin e tyre, kjo vetëm një përgjigje; ndëshkim ligjor, administrativ dhe moral. Për çdo njeri nga ata që kanë nisur hetim, do të mbajnë mbi shpinë moralin e turpin. Për të sanksionuar me ligj ata mjekë, s’mund t’i quaj më as profesionist, që e trajtojnë jetën njerëzore si mall të shumicës, do të përballen me masa që do t’i bëjmë të ditura. Do t’u hiqet e drejta e profesionit në rast se do të bëjnë sjellje amorale nëse cënojnë profesionin e tyre”, tha ajo.
Ajo u shpreh se të gjithë mjekët që abuzojnë me detyrën, do të përballen me sanksione.
Ministrja shtoi se në raste të sjellëve amorale do të merret masa e ndalimit të ushtrimit të detyrës.
Teksa ministrja po fliste, deputetët e PD, Gazment Bardhi dhe Ina Zhupa po i binin tavolinave dhe bënin thirrje ministres të japë dorëheqjen.
Pas “protestës” së opozitës, Nikolla paralajmëroi disa herë se do të ndërpriste interpelancën.
j.l./ dita
Burimi