Kuvendi njofton KQZ-në për mandatin e Salianjit, zbardhet kërkesa
Kuvendi ka njoftuar Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve për plotësimin e vakancës të lënë nga heqja e mandatit të deputetit Ervin Salianji. Në shkresën drejuar KQZ-së, Kuvendi thekson se duhet të plotësohet vakanca e lirë. Salianji iu ndërpre mandati pas vendimit të Gjykatës së Apelit që e dënoi me 1 vit heqje lirie.
Kërkesa e Kuvendit:
I nderuar Z. Komisioner Shtetëror i Zgjedhjeve, Kuvendi i Shqipërisë, në bazë të shkronjës “dh” të pikës 2 të nenit 71 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe Rregullores së Kuvendit, Ju njofton mbarimin përpara afatit të mandatit të deputetit të PD-së Ervin Salianji, për shkak të dënimit të tij me vendim të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale, njoftuar në seancën plenare të datës 30.9.2024. Sa më sipër, në mbështetje të nenit 164, pika 1, të ligjit nr. 10019, datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, Kuvendi i Shqipërisë ka detyrimin ligjor për të njoftuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për krijimin e vakancës.
Gjykata e Apelit ka lënë në fuqi më 26 shtator 2024 vendimin për dënimin me 1 vit burg për deputetin demokrat Ervin Salianji. Salianji është dënuar së bashku me Albert Veliun, që pritet të vuaj dënimin me 10 muaj burg si dhe gazetarin Jetmir Olldashi me 100 orë punë komunitare. Apeli ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë në Tiranë. Shkalla e parë vendosi që Salianji të dënohet për kallëzim të rrëmë, në lidhje me një denoncim që ka bërë për vëllanë e ish-Ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafa, Agron Xhafa. Në audio-përgjimin që publikoi Salianji, thuhej se Agron Xhafa ishte pjesë e një rrjeti kriminal të trafikut të lëndëve narkotike.
j.l./ dita
Burimi