Vrasja e Roland Rexhepit/ Si u zbulua “Paçuku”, rrëfimi i Gëzimit të Hanes zbuloi “Visin”

Vrasja e Roland Rexhepit/ Si u zbulua “Paçuku”, rrëfimi i Gëzimit të Hanes zbuloi “Visin”

Roland Rexhepi

ELBASAN- Detaje të reja kanë hedhur dritë mbi vrasjen e kryer 15 vjet më parë në Elbasan të ish-efektivit të antidrogës, Roland Rexhepi, i njohur ndryshe si “Doda”. Nga bisedat që Luljeta Hoxha, nëna e një prej të dyshuarve, Donald Hoxha, ka pasur me Gëzim Ballën, edhe ky i akuzuar si pjesëmarrës në krim, zbulohet emri i një tjetër personi, që identifikohet vetëm me emrin “Visi”.
Dosja Hetimore
Sipas Luljetës, ajo dhe bashkëshorti i saj i thanë Gëzimit që nuk i interesojnë këto gjëra, por të shkojë në Polici dhe t‘i tregojë. Dhe se biseda zgjati afro 15 minuta dhe më pas Gëzimi u largua. Luljeta po kështu deklaroi se se nuk i di gjeneralitetet e sakta të personit me emrin Visi, por Gëzimi i kishte thënë vetëm ‘Visi i Firmës El’, thuhet në dosjen e siguruar nga emisioni “Në Shënjestër”.
Këto takime të prindërve të Donaldit me Gëzim Ballën, në ambientet e punës së tyre, u konfirmuan edhe nga pamjet filmike. I cili në një moment dëgjohet teksa bisedon me Luljetën, nënën e Donaldit. Ndërkohë që ajo që përbën habi është se Gëzim Balla është larguar me familjen nga Shqipëria, në mesin e muajit prill, vetëm një javë para se Donald Hoxha të ekstradohej në Shqipëri. 
Më datë 3 Prill 2024, avokati i Donald Hoxhës, ka dorëzuar në USB, dy video me kohëzgjatje 33 sekonda të datës 30 Janar 2024 ku rezulton se Gëzim Balla ka takuar shtetasen Luljeta Hoxha. Ku në një moment personi i dyshuar si Gëzim Balla dëgjohet duke u shprehur: ‘Do thot kto muhabete, do më mari mua’. Nga këqyrja e sistemit TIMS rezulton se shtetasja E.Balla (bashkëshortja e Gëzim Ballës) sëbashku me 2 fëmijët e tyre kanë dalë nga territori i Shqipërisë më datë 17 Prill 2024 nga PKK Kakavijë. Ku po kështu dyshohet se dhe vetë Gëzim Balla është larguar ilegalisht drejt Greqisë. Tashmë për Prokurorinë e Elbasanit, ekzistojnë dyshimet e arsyeshme se Gëzim Balla është një nga personat e lidhur me vrasjen e ish-efektivit të antidrogës, Roland Rexhepi, më datë 22 korrik 2009, ndërsa po nxirrte makinën e tij nga garazhi në lagjen ‘Vullnetari’ në Elbasan.
Dëshmia e Luan Hoxhës
Pasi djali im, Donaldi u arrestua në Angli me qëllim ekstradimin në lidhje me vrasjen e Roland Rexhepit, dhe na tregoi se si ishte puna e furgonit, si dhe që ishte Gëzimi ai që e mori me vete, unë shkova me dëshirë në polici të tregoja se çfarë kishte ndodhur. Por vetëm një ditë më vonë Gëzimi erdhi te puna jonë dhe pranoi të gjitha ato që Donaldi na kishte thënë. Madje edhe që do të pohonte se ishte ai që kishte blerë furgonin dhe jo Donaldi. Ndërkohë që djali im nuk ka patur dijeni për çfarë do përdorej ky furgon dhe nuk di të thotë nëse Gëzimi kishte dijeni apo jo. Madje aq i gëzuar ka qenë Donaldi që po i jepte një furgoni sa ka filmuar edhe veten. Video që ia ka treguar edhe shokut të tij, Edit. Ne kërkojmë një ballafaqim me Gëzimin që të sqarojë pozitën e Donaldit dhe të tregojë të vërtetën, se kujt ia dha furgonin dhe që Donaldi nuk ka lidhje me këtë ngjarje.
Ndërkohë që e ëma e Donaldit, tregoi edhe për takimin që ajo pati me Gëzim Ballën në muajin janar 2024, vetëm pak ditë pasi ky i fundit kishte mësuar se Donaldi kishte nxjerrë emrin e tij si personi që kishte blerë automjetin tip furgon të bardhë ‘Renault’, që u përdor në vrasjen e Roland Rexhepit.
Dëshmia e Luljeta Hoxhës
Më datë 28 Janar 2024, rreth orës 11.00 në telefon më mori motra ime Sonila Fieraku. Ajo më tha që të prisja në shtëpi djalin e saj, nipin tim Stivin, se kishte një muhabet për ti thënë. Pasi Stivi erdhi ai më tregoi se Gëzimi i Hanes (Gëzim Balla) kishte shkuar te lokali i babait të tij Ilia dhe i ka thënë që Donaldi është i pafajshëm në këtë histori dhe se nuk ka bërë asnjë faj. Po kështu Gëzimi i ka thënë Ilias se edhe ai vetë është i pafajshëm. Më datë 30 Janar 2024, dëgjova dikë te puna që kërkonte Luanin. Ku dola pashë një person që në kokë kishte hedhur kapuçin e trikos. Sapo e pashë e njoha direkt. Ishte Gëzimi i Hanes, që ka qenë shok me vëllain tim Mentor Fekollarin. Fillova ta pyes përse ma mori djalin në qafë?
Por Gëzimi u shfajësua duke më thënë që as ai, as Donaldi nuk kishin faj. Madje më tha që nëse unë doja, ai do bënte një deklaratë noteriale ku të thoshte çdo gjë. Por unë i kërkova të shkonte në Polici dhe të deklaronte të vërtetën. Në fund ai tha se ishte duke vuajtur kusuret e Visit, dhe se unë mora vetëm 200 mijë lekë për të ngrënë një drekë dhe nuk e dija përse duhej ai furgon. Dhe se Donaldin e mora kot me vete dhe jo për t‘i hapur punë.
Rihapja e hetimit në 2011
Me rihapjen e hetimit në vitin 2021, një person i tretë u identifikua edhe ky si pjesëmarrës në krim. Ky person ishte Florind Shabani, i njohur si ‘Paçuku’, i cili edhe ky sot është dënuar me 12 vite burgim për vrasjen e Roland Rexhepit, pavarësisht se e ka mohuar vazhdimisht përfshirjen në vrasjen e ‘Dodës’ ‘Paçuku’, i cili u lokalizua dhe arrestua në vitin 2021 në burgun ‘Augsburg-Gabligen’ në Gjermani, ku vuante një dënim për akuzën e ‘Kryerjes së Marrëdhënies seksuale me dhunë’. Po ku ajo që e fundosi ishte sjellja nga autoritetet hetimore gjermane të provave të tij të ADN-së.
Dosja Hetimore
Nga hetimet e kryera me anë të provave të administruara ka rezultuar se i pandehuri Florind Shabani ka konsumuar veprën penale të ‘Vrasje me paramendim’ e kryer në bashkëpunim në rolin e ndihmësit në kryerjen e veprës penale.
Burimi

Ky lajmë ka
0 Komente