Vrasja e “Dodës” në Elbasan, gjykata dënon me 12 vite burg Florind Shabanin
Roland Rexhepi
Florind Shabani i njohur ndryshe në Elbasan me nofkën “Paçuku”, është dënuar me 12 vite burg për akuzën e vrasjes me paramendim kryer në bashkëpunim në dëm të ish-punonjësit të policisë Roland Rexhepit që njihej me nokën “Doda”. Vendimi është marrë më 9 maj, nga gjyqtari i Gjykatës së Elbasanit, Artur Prenga, shkruan “Ora News”. Ky i fundit vendosi që të pranojë kërkesës e prokurores së çështjes, Glenda Zeneli, për deklarimin fajtor dhe dënimin e Shabanit me 21 vite burgim, si njëri prej autorëve të identifikuar në këtë vrasje të ndodhur në muajin Korrik 2009 në Elbasan.
Gjykata fillimisht dënoi Florind Shabanin me 18 vite burgim, por për shkak të gjykimit të shkurtuar dënimi i tij është ulur në masën përfundimtare me 12 vite burgim. Më herët për këtë vrasje në gjykatën e Elbasanit janë arrestuar dhe dënuar Armand Llakaj dhe Marjus Tafaj, përkatësisht me 25 dhe 23 vite burgim dhe aktualisht vijojnë të qëndrojnë në burg.
Si u vra “Doda”, Roland Rexhepi
Ekzekutimi i ish-oficerit të Policisë, Roland Rexhepi u realizua mëngjesin e 22 korrikut të vitit 2009. Ai ka mbetur i vdekur në vend, pasi ndaj tij është qëlluar me breshëri nga dy armë zjarri të llojit automatik, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.
Autorët ishin të maskuar, por ekspertët e kriminalistikës kanë mundur të sigurojnë provat e ADN-së të gjetura në një motor, në bishta cigaresh apo në një kapuç të gjetur më vonë brenda një furgoni. Krahasimi i tyre, ka bërë të mundur zbardhjen e identiteteve të autorëve, edhe pse dy të dënuarit nuk e kanë pranuar asnjëherë krimin. Në rastin e Florind Shabanit, kanë qenë autoritetet hetimore nga Gjermania ato që kanë sjellë provat e ADN-së së tij pasi rezulton i dënuar në shtetin gjerman për lëndë narkotike. Autoritetet shqiptare kanë krahasuar ADN-në e tij me atë të babait, Ismail Shabani.
Ndërkohë që Policia e Shtetit nuk kishte zbardhur ende vrasjen e ish-efektivit, në një atentat me armë zjarri tre vite më vonë vritet në qendër të Elbasanit biznesmeni Ilir Rexhepi, vëllai i ish-efektivit të antikrimit në Policinë e Elbasanit. Rexhepi u ekzekutua më 30 dhjetor të vitit 2011. Në pamjet e kamerave të sigurisë duket një person që largohet duke çaluar, pasi ndaj atentatorit u kundërpërgjigj me armë biznesmeni, i cili humbi jetën pak momente më vonë./ZËRI
Burimi