Vrasja e Anastas Qatos në Belgjikë/ I vëllai shkoi për të dëshmuar në gjyq, përfundon edhe vetë në pranga
Foto ilustruese
BELGJIKË- Sot në Belgjikë është zhvilluar seanca e radhës gjyqësore ndaj vlonjatit Mikel Mehmetaj, 46 vjeç, i cili akuzohet për vrasjen e Anastas Qatos në Belgjikë dhe plagosjen e vëllait të viktimës në vitin 2015. Në sallë për të dëshmuar sot ishte thirrur edhe Artan Qato, por ky i fundit përfundoi në pranga sapo shkeli në ambientet e Gjykatës e Justitias. Kjo pasi ndaj tij kishte një urdhër-arresti për shkak se ishte i akuzuar për trafik droge.
Megjithatë dëshminë e tij e dha.
“Gjithçka që ka thënë i akuzuari nuk është gjë tjetër veçse gënjeshtra,”- tha Artan Qato, viktimë e të shtënave me armë zjarri që e plagosën rëndë dhe rezultuan fatale për vëllain e tij Anastas, më 26 shtator 2015 në qendër të Brukselit.
“Atë ditë vëllai im më telefonoi pak para orës 8 të mëngjesit për të më thënë se duhet të shkonim urgjentisht në kafenenë “Le DM”. Ai mendonte se kisha debatuar me njerëz, gjë që nuk ishte kështu, prandaj ai nuk e kuptoi pse ishte shënjestruar me ofendime nga i akuzuari, truproja Kristo Tuçe dhe DJ Miklovan Kajtazi, i njohur ndryshe si “Vani”.
Sipas Artan Qatos, i cili punonte edhe për Kristo Tuçen, diskutimi jashtë kafenesë ishte vetëm nëse kishte ndonjë problem me vëllain e tij, i cili kishte humbur punën në një lokal tjetër.
“Kristo na tha jo. Në një moment erdhi i akuzuari që nuk e njihja dhe filloi të ofendonte vëllanë tim. Unë e pyeta “kush je ti?” dhe i thashë se ishte një bisedë familjare, atëherë Anastasi nxori një thikë dhe e goditi të akuzuarin (Mehmetajn). Unë nuk e dija se im vëlla kishte një thikë me vete. Ndërhyra për të qetësuar situatën, por kur i ndava Mehmetaj qëlloi me armë vëllanë tim.”
Lidhur me akuzën e bërë nga Mikel Mehmetaj se ai vetë ka qenë i dhunshëm, duke kërcënuar “DJ Vani”, Qato i mohoi të gjitha pretendimet.
“Nuk kam goditur askënd, nuk kam pasur kurrë armë dhe nuk e kam parë kurrë një armë. Nëse do të kisha shkuar me armë, do e vrisja në atë moment të akuzuarin dhe ai nuk do të ishte kështu sot,”-tha shqiptari në gjyq sipas mediave të huaja.
Pas Qatos, në pyetje u mor edhe bashkëshortja e tij, Katerina, e cila konfirmoi se sherri kishte nisur vetëm me fjalë si fillim dhe më pas ishin përdorur armët e zjarrit.
“Kështu e kanë shqiptarët. Ata debatojnë duke u ofenduar, në shënjestër kanë gratë, nënat dhe motrat,”-tha ajo.
I akuzuari për vrasjen e Qatos, Mehmetaj rezulton një emër i njohur në Shqipëri pasi në 2017 është arrestuar me armë në Vlorë, ndërsa në 2019 i ka shpëtuar një atentati në qytetin bregdetar. Ai u arrestua në 2020 në Maqedoninë e Veriut dhe më pas u ekstradua në Belgjikë./ZËRI
Burimi