Vota e diasporës dhe ndryshimet në Kodin Zgjedhor/ Basha dhe Alibeaj kundër: S’bëhemi pjesë e pazarit Rama-Berisha!

Vota e diasporës dhe ndryshimet në Kodin Zgjedhor/ Basha dhe Alibeaj kundër: S’bëhemi pjesë e pazarit Rama-Berisha!

Enkelejd Alibeaj dhe Lulzim Basha

TIRANË- Kërkohen 84 vota në Kuvendin e Shqipërisë për të miratuar ndryshimet në Kodin Zgjedhor për votën e diasporës. Por duket se nuk ka gjasa që të ketë një marrëveshje deri të enjten tjetër. Tashmë ka një ngërç mes palëve, pasi Partia Demokratike kërkon me ngulm që të votojnë edhe shqiptarët që nuk kanë as kartë identiteti dhe as pasaportë shqiptare. Madje theksojnë se kjo pikë mund të zhbëjë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani. Për socialistët, por edhe për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, kjo çështje nuk duhet që të konsiderohet. Por pa votat e opozitës, maxhoranca nuk i miraton dot ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Madje nuk ka as votat e “të ndarëve” nga grupimet politike.
Në “lojë” janë votat e Lulzim Bashës, Arbi Agalliut, Oriola Pampurit, Enkelejd Alibeajt, Flutura Açkës dhe Agron Shehajt. Për këtë çështje, Lulzim Basha, kreu i Demokratëve Euroatlantikë deklaron votën kundër ndryshimeve në Kodin Zgjedhor lidhur me votën e diasporës.
“Nuk bëhemi pjesë e pazarit Rama-Berisha – Pa lista të hapura dhe votim elektronik, nuk garantohet vota e shqiptarëve brenda dhe jashtë vendit. Nisur nga interesimi i mediave dhe për të sqaruar dizinformimin e disa mediave të Ramës, theksojmë se: Rama dhe Berisha nuk kanë interes që diaspora të votojë. Gjithçka e kanë bërë për të kontrolluar votën e saj në bashkëpunim me njëri-tjetrin. Ata nuk kanë interes për zgjedhje të lira dhe të ndershme, por synojnë t’i përdorin ato në funksion të pazarit të tyre: Rama qeverinë, Berisha opozitën. Kjo është arsyeja pse mbyllën listat. Kjo është arsyeja pse nuk lejojnë votimin dhe numërimin elektronik, brenda dhe jashtë vendit. Ata po veprojnë në koordinim të plotë për të penguar ndryshimin, por nuk do t’ia dalin,”-thuhet zyrtarisht nga Demokratët Euroatlantikë që në dorë kanë vetëm 3 vota. 
Për Report Tv ka folur dhe Enkelejd Alibeaj, drejtuesi i “Djathtas 1912”, i cili është shprehur po ashtu gjithashtu kundër votimit të ndryshimeve në Kodin Zgjedhor. Edhe për të, duhet që të ketë lista të hapura, ndryshe nuk ka asnjë bashkëpunim as me maxhorancën dhe as me opozitën.
“Arsyetimi është i thjeshtë: votojmë çdo lehtësi dhe komoditet të votës së diasporës, por shqiptarëve (edhe atyre të diasporës) iu duhet dhënë e drejta e plotë e zgjedhjes, pra edhe listat e hapura. Diaspora nuk mund të konsiderohet si një plaçkë lufte elektorale që të agresohet nga pushteti për vota,”- tha Enkelejd Alibeaj.

Qëndrimin e saj kundër e ka shprehur edhe Flutura Açka! Në këto kushte, kur duket se edhe ka 1 javë kohë, asgjë nuk do të ndodhë. Seancën e të enjtes, mazhorancës do t’i duhen 84 kartonë jeshil për të siguruar ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Por pa opozitën, pra Partinë Demokratike, nuk ia del dot! Deri tani, dihet se PS ka ‘në xhep’, 78 vota të sigurta; 75 të vetat dhe 3 të PSD-së. Edhe Dashamir Shehi e ka shprehur votën e tij “pro”. Madje socialistët mund t’i “ndihmojë” edhe PDIU me 4 mandatet e saj, por sërish nuk i grumbullojnë dot pas sinjaleve për afrimitet me socialistët të shprehura më herët, por sërish as votat e tyre nuk mjaftojnë për të bërë 84./ZËRI
Burimi

Ky lajmë ka
0 Komente