
Veliaj i ridelegoi drejtimin e bashkisë së Tiranës, Ristani: Nuk jam e besuara e Ramës
Anuela Ristani
TIRANË- Një vendim i kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj për t’ia hequr kompetencat kryetares së komanduar, Anuela Ristani e për t’ia deleguar ato Sara Goxhajt bëri bujë në media. Vetë Veliaj në një reagim pasdite deklaroi se gjithçka ishte një keqkuptim duke ia rideleguar sërish kompetencat Anuela Ristanit. Duke qenë se në emisionin “Opinion” në Tv Klan u diskutua për këtë çështje, Ristani reagoi për gazetarin Blendi Fevziu pasi emri i saj u përmend gjatë debatit.
Ajo tha se nuk është e besuara Ramës siç u quajt në studio dhe se komunikimin me kryeministrin e ka pasur për herë të parë kur i është deleguar detyra. Po ashtu tha se në bashki nuk është zënë askush “me gishta në vesh” duke shtuar njësoj si Veliaj se gjithçka ndodhi me çështjen e delegimit, ishte një keqkuptim.
“Kam një reagim nga Anuela Ristani. Më thotë zoti Fevziu ndjesë, por duke ju ndjekur vërej se po përgojohem me të pavërteta që do ishte shumë e lehtë të mësonit se sa të pavërteta janë. Unë nuk jam e besuara e Ramës siç më quajtën aty sepse me kryeministrin nuk kisha komunikuar asnjëherë përpara se të merrja delegimin nga kryetari Veliaj. Dhe në Bashkinë e Tiranës nuk është zënë askush me “gishta në vesh” ndërsa keqkuptimi i krijuar nga pamundësia e komunikimit normal nuk ka asnjë lidhje nga fishekzjarrët mediatikë të ditës së sotme. Do të vlerësojë leximin e mesazhit tim për të korrigjuar sadopak shtrembërimin e emrit tim në publik, Anuela Ristani”, lexoi Fevziu./tvklan.al
Burimi