
U lanë në lista të hapura, Naço tërhiqet: Do bëhem avokat! Kodheli, Braçe dhe Majko përballë sfidave
Mimi Kodheli, Nasip Naço, Erion Braçe dhe Pandeli Majko
TIRANË- Socialistët e lënë në lista të hapura kanë reaguar njëri pas tjetrit. Në një postim në rrjetet sociale, majko u bën thirrje mbëahtetësve të tij që të votojnë, jo vetëm atë, por edhe kolegët e tij që janë në listë të hapur. Këtë mundësi, Majko e konsideron një sfidë.
“Firmosa dokumentet e kandidimit për deputet, që të vazhdoj në krah të familjes sime, Partisë Socialiste të Shqipërisë, atë që kemi nisur, edhe pas zgjedhjeve të 11 majit. Jam i bindur se një burrë nuk lind për të drejtuar, por i përgjigjet thirrjes dhe bën detyrën. Bufi ushqehet me minj. Votoni shokët dhe shoqet e mia në Listën e Hapur! Unë jam vetëm një prej tyre! Votoni Partinë Socialiste! Do t’ia dalim, bashkë! Shqipëria e fëmijëve tanë është e para!”- shkruan Majko në postim.
Të njëjtën gjë ka shkruar edhe socialistja Mimi Kodheli. Ajo shprehet se nuk është hera e parë që e përballon një sfidë të tillë, duke garuar në lista të hapura.
“E kam sfiduar edhe herë tjetër, kështu e kam jetën me sfida. Kam refuzuar të jem në listë të mbyllur,”- shprehet Kodheli.
Ndërsa Erion Braçe është sjellë në Tiranë dhe po garon përballë figurave më të vjetra politike, në lista të hapura. Megjithatë, ai shkruan se për të bërë gjërat që do, gjithmonë ka kohë.
“Ka gjithmonë kohë për të bërë gjërat që do,”- shprehet Braçe.
Deputeti Nasip Naço, nga ana tjetër nuk e pranuar garën në listë të hapur dhe është tërhequr. Ai shprehet se në shtator do të nisë karrierën e tij si avokat.
“Unë e falënderoj zotin Rama që vuri kritere të forta, që edhe ai që nuk e mendonte duhet ta kuptojë se vjen një ditë kur duhet të ikë. Në shtator do të jem një avokat dhe ka nevojë ky vend, sidomos pas këtyre ngjarjeve, ka nevojë për avokat. Unë ia kam kthyer borxhin PS-së, kisha marrë një mandat në 2009, 2013 dhe 2017. Ia ktheva në 2021. As s’i kam borxh, as më kanë borxh. Jam qytetar i lirë,”- u shpreh Naço.
Burimi