Tymi i bardhë në Jeddah, Ukraina pranon armëpushim të përkohshëm, SHBA ‘rikthen’ ndihmat

Tymi i bardhë në Jeddah, Ukraina pranon armëpushim të përkohshëm, SHBA ‘rikthen’ ndihmat

Volodymir Zelenskyy dhe Donald Trump

JEDDAH- Ka një marrëveshje! Ukraina deklaroi gatishmërinë e saj për të pranuar propozimin e SHBA-së për një armëpushim të menjëhershëm dhe të përkohshëm për 30-ditë. Në këmbim, Uashingtoni të nisë menjëherë dërgesën e armëve në Kiev. Së fundi, të dy vendet thanë se ranë dakord të përfundojnë një marrëveshje mbi zhvillimin e burimeve minerale të Ukrainës.
Pas përfundimit të takimit që ka nisur që në orën 10.30, sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio theksoi në deklaratat e tij të para: Shpresojmë që Rusia të jetë dakord. Topi është tani në fushën e tyre. Ukraina pranoi bazën e planit tonë!
Për çfarë ranë dakord?
Në deklaratën e tyre të përbashkët, pas një takimi nëntë orësh, SHBA dhe Ukraina theksojnë se SHBA do të heqë menjëherë pezullimin e shkëmbimit të informacionit dhe do të vazhdojë ndihmën e saj për sigurinë në Ukrainë. Ky është një fitim i rëndësishëm për Ukrainën, e cila u mbështet në inteligjencën amerikane lidhur me lëvizjet e ushtrisë ruse dhe vendndodhjet e objekteve kritike. 

Pamje nga takimi

Të dy vendet thanë gjithashtu se ranë dakord për të përfunduar një marrëveshje mbi zhvillimin e burimeve minerale kritike të Ukrainës. Kjo është marrëveshja që solli përçarjen mes presidentit amerikan Donald Trump dhe homologut të tij ukrainas Volodymyr Zelenskyy. Më në fund, të dy delegacionet ranë dakord të caktojnë ekipet e tyre negociuese dhe të fillojnë menjëherë bisedimet për një paqe të qëndrueshme që do të sigurojë sigurinë afatgjatë të Ukrainës.
Andriy Yermak, ndihmësi më i afërt i Volodymyr Zelenskyy dhe anëtar i delegacionit ukrainas në Arabinë Saudite, postoi një mesazh të shkurtër në platformën X. Ai theksoi se mbrojtja e interesave të Kievit është “gjëja më e rëndësishme”, ndërsa një “paqe e drejtë” është çelësi.
“Mbrojta e interesave të Ukrainës është gjëja më e rëndësishme për ne. Një paqe e drejtë është çelësi për ne. Duam një paqe afatgjatë. Faleminderit për këtë takim konstruktiv.” 
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy gjthashtu publikoi ​​një deklaratë pas një takimi midis zyrtarëve të lartë amerikanë dhe ukrainas në Jeddah.
“Pala amerikane i kupton argumentet tona dhe i pranon propozimet tona. Dua të falënderoj Presidentin Trump për natyrën konstruktive të diskutimeve të ekipeve tona”, shkroi ai.
Reagimi i parë për marrëveshjen nga Europa erdhi nga kryeministri polak Donald Tusk.
“Duket sikur amerikanët dhe ukrainasit kanë bërë një hap të rëndësishëm drejt paqes. Evropa është e gatshme të ndihmojë në arritjen e një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme.”
Po nëse rusët refuzojnë…?
Sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio u pyet nëse kishte një afat që rusët t’i përgjigjeshin propozimit 30-ditor për një armëpushim të përkohshëm.
“Ne do t’ua çojmë ofertën. Ne do t’u themi: “Kjo është ajo që është në tryezë”. Ukraina është gati të ndalojë të shtënat dhe të fillojë të flasë, dhe tani do t’i mbetet atyre që të thonë po ose jo. Shpresoj që ata të thonë po. Nëse ata e bëjnë këtë, atëherë mendoj se ne kemi bërë përparim të madh. Nëse ata thonë jo, atëherë, për fat të keq, do ta dimë se cila është pengesa për paqen,”-tha Rubio.
Nga ana tjetër, këshilltari i Sigurisë Kombëtare i SHBA-së, Mike Waltz thotë se do të flasë me homologun e tij rus “në ditët në vijim” dhe se Rubio do të takohet me ministrat e jashtëm të G7 në ditët në vijim./ZËRI
Burimi

Ky lajmë ka
0 Komente