TVSH-ja e Bujqësisë ‘ndez’ debat tek ‘Ekonomia’, Braçe: Tallje e ministrit të Financave, inat i vjetër

TVSH-ja e Bujqësisë ‘ndez’ debat tek ‘Ekonomia’, Braçe: Tallje e ministrit të Financave, inat i vjetër

Erion Braçe

TIRANË-Mbledhja e Komisionit të Ekonomisë nuk ka kaluar pa debate. Sot u diskutua ligji “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në bujqësi”, ku deputeti i PS-së, Erion Braçe kërkoi shfuqizimin e skemës së vitit 2018, të propozuar nga ish-ministri në arrati Arben Ahmetaj, për shkak se ka dëmtuar sektorin e bujqësisë, blegtorisë, pyjeve e peshkimit. 
Braçe bëri thirrje që të ndryshohet skema e TVSH-së pasi po falimenton fermerët. Deputeti shtoi se ky tatim është në disfavor me prodhimin vendas e ndaj i leverdis më shumë të marrin produkte nga jashtë Shqipërisë sesa prodhimin vendas. Ai hodhi akuza ndaj ministrit të Financave Petrit Malaj, duke thënë se refuzon të vijë në komision dhe të japë sqarime. 
Nga ana tjetër Florian Semani, zv/ministri i Financave pranoi sot gjatë diskutimeve në Komision se Ministria e Financave është në dijeni të problemeve që hasen në terren.
“Por duke qenë se ka disa shtojca të caktuara, do të kemi një qëndrim shumë shpejt dhe më pas të japim qëndrimin zyrtar të Ministrisë së Financave”, tha ai.
Pjesë nga debatet në Komision:
Braçe: Çfarë skeme kompensimi? Na e thoni çfarë skemë kompensimi. A e keni lexuar ju nismën e propozuar?
Kuçi: Kjo skemë siç është propozuar, nuk aplikohet në asnjë vend!
Braçe: Pse, si është në vendet e huaja. Kjo është si kudo në vendet e botës, që blen me 20% dhe do të shesësh me 20%. Turp i madh, se keni lexuar fare nismën. Mbase këto janë gjërat e fundit në këtë komision. Qeveria duhet të kuptojë se institucioni që cakton taksat është Kuvendi i republikës dhe jo qeveria. Qeveria duhet ta kuptojë shumë mirë këtë. E dyta është pavarësia e Kuvendit për të vendosur në interes të atyre njerëzve që votojnë për deputetët e Kuvendit. Pavarësia e Kuvendit nuk mund të cenohet nga asnjë ministër, dhe aq më tepër të rrëzohet brutalisht me vota kundër. Është e turpshme që ministri i Financave nuk vjen të përballet me ne që flasim për një çështje që cenon 45% të qytetarëve. Kjo është një tallje skandaloze! Nuk lejoj askënd të vij këtu që të tallet me punën e deputetëve. Ky shqetësim është krijuar nga ministri i Financave dhe është bërë në mënyrën më banale të mundshme, se ministri i asaj kohe (Arben Ahmetaj)  kishte inat Braçen, se kishte frikë se unë bëhesha ministër i Bujqësisë. Kjo tallje që ndodh këtu është vetëm se këtë e kam propozuar unë, sepse po ta kishte propozuar ministri, do ishte miratuar direkt.
Shalsi: Puna e fundit për këtë sesion?
Braçe: Po, po, patjetër për këtë sesion, po, po, patjetër…!
Konkretisht në projektligj Braçe propozon shtesë në nenin 69 të ligjit ekzistues “Për tatimin mbi vlerën e shtuar”. Në ndryshimet e paraqitura në ligjin “Për tatimin mbi vlerën e shtuar” propozohet një mekanizëm i ri për përllogaritjen e TVSH-së, në rastet kur realizohen transaksione me autofaturim ndërmjet fermerëve dhe personave të tatueshëm. 
“Personi i tatueshëm gëzon të drejtën që të zbresë nga TVSH-ja e llogaritur për transaksionet e tatueshme TVSH-në e përllogaritur mbi vlerën përfundimtare tëë transaksionit për blerjen e produkteve bujqësore, blegtorale, (bimore, shtazore), peshkore, pyjore nga personi i tatueshëm tek fermerët me autofaturim. Në këtë rast “vlera përfundimtare e transaksionit” është vlera për të gjitha këto produkte, në transaksionin e blerjes se produkteve nga fermerët, dokumentuar me një fature ligjore të dakordësuar mes palëve, ku përfshihet dhe vlera e TVSH-së. TVSH llogaritet duke pjesëtuar “vlerën përfundimtare të transaksionit” me koeficientin 1/6. Autofaturimi do të aplikohet për prodhuesit bujqësorë të përjashtuar nga skema e TVSH-së deri në kufirin e përcaktuar nga ligji”, thuhet në projektligj.
Burimi

Ky lajmë ka
0 Komente