Trump: Irani do të mbahet përgjegjës për sulmet e rebelëve Huthi

Trump: Irani do të mbahet përgjegjës për sulmet e rebelëve Huthi

Donald Trump

SHBA- Presidenti amerikan, Donald Trump, tha se ai do ta mbajë përgjegjës Iranin për çdo sulm që do të kryhet nga rebelët jemenas, Huthi, që mbështeten nga Teherani, teksa administrata e tij ka zgjeruar operacionin më të madh ushtarak të Shteteve të Bashkuara në Lindjen e Mesme që kur Trump u rikthye në Shtëpinë e Bardhë.
Duke iu përgjigjur kërcënimeve të rebelëve Huthi ndaj anijeve ndërkombëtare të mallrave, SHBA-ja nisi një valë të re të sulmeve ajrore të shtunën. Të hënën, qyteti-port i Hodeidas dhe qyteti Javf në Jemen u shënjestruan, raportoi televizioni Al Masirah që udhëhiqet nga rebelët në Jemen.
“Çdo e shtënë nga Huthit do të shikohet tash e tutje si e shtënë nga armët dhe udhëheqja e Iranit dhe Irani do të mbahet përgjegjës dhe do të vuajë pasojat, e këto pasoja do të jenë të rënda”, shkroi Trump në platformën e tij Truth Social.
Shtëpia e Bardhë tha se mesazhi i Trumpit ndaj Iranit ishte që SHBA-ja të merret seriozisht.
Rebelët Huthi, organizatë e shpallur terroriste nga SHBA-ja, të cilët kontrollojnë shumicën e territorit të Jemenit, kanë kryer dhjetëra sulme ndaj anijeve që kalojnë pranë brigjeve të Jemenit që nga nëntori i vitit 2023, duke penguar tregtinë globale.
Një zyrtar amerikan i thanë Reutersit se sulmet mund të vazhdojnë për javë të tëra. Uashingtoni po ashtu ka rritur presionin ndaj Iranit përmes sanksioneve, teksa po tenton ta sjellë Teheranin në tavolinën e negociatave lidhur me programin e tij bërthamor.
Trump përmes një letre drejtuar Iranit ka propozuar mbajtjen e bisedimeve bërthamore, një propozim që është kundërshtuar nga lideri suprem iranian, Ajatollah Ali Khamenei.
Rebelët Huthi kanë thënë se sulmet e tyre – që kanë detyruar shumë kompani që të ndryshojnë rrugën dhe të përdorin rrugë më të gjata dhe më të kushtueshme përreth jugut të Afrikës për të transportuar mallrat e tyre – janë në shenjë solidariteti me palestinezët, për shkak të luftës në Gazë.
SHBA-ja dhe aleatët e saj kanë thënë se sulmet po pengojnë tregtinë globale.
Udhëheqësi i grupit Huthi është zotuar se rebelët do të shënjestrojnë anijet amerikane në Detin e Kuq për aq kohë sa SHBA-ja do të vazhdojë sulmet në Jemen.
Rebelët Huthi kanë dhjetëra mijëra luftëtarë dhe kanë një arsenal dronësh dhe raketash balisitike. Arabia Saudite dhe Perëndimi kanë thënë se armët e tyre vijnë nga Irani, por Teherani e mohon këtë akuzë.
Rebelët Huthi janë pjesë e të ashtuquajturit “Bosht të Rezistencës”, që përbëhet nga bashkëpunëtorë rajonalë të Teheranit që kundërshtojnë Iranin dhe Perëndimin. Në të bëjnë pjesë edhe Hamasi dhe Hezbollahu, grupe të shpallura terroriste nga SHBA-ja.
Izraeli ka thënë se ka dobësuar shumë shumicën e aleatëve rajonalë të Iranit, që kur shpërtheu lufta në Gazë tetorin e vitit 2023. Që atëherë, Izraeli ka vrarë udhëheqës të lartët ë Hamasit dhe Hezbollahut, teksa rrëzimi i Bashar al-Assadit nga pushteti në Siri është parë si një goditje e madhe për Teheranin./REL
Burimi

Ky lajmë ka
0 Komente