
Tragjedia në Koçanë/ Mickoski i prerë: Ka ndodhur vrasje masive, përgjegjësit do t’i tërheqim për veshi
Hristijan Mickoski
SHKUP- Hristijan Mickoski e ka quajtur “vrasje masive” tragjedinë në Koçan. Pas një vizite në spital, kryeministri Hristijan Mickoski ka theksuar sot se kryetari i Komunës së Koçanit, Ljupço Papazov, edhe pse pa asnjë përgjegjësi për ngjarjen, ka treguar virtyt dhe ka dhënë dorëheqjen nga detyra. Në fjalën e tij, numri një i qeverisë tha se përgjegjësit po përpiqeshin që të shmangeshin nga faji duke përdorur kartën etnike. Por theksoi se nuk do të funksionojë kësaj here.
“Ne kemi ardhur në përfundim se në vitin 2024 janë dhënë gjithsej 12 licenca kabareje. Pra, tani mund të merrni me mend se sa klube funksionojnë në vend dhe ne nuk e dimë se cilat janë të vlefshme, sepse supozojmë se afati i tyre ka kaluar. Është e qartë se askush nuk e ka bërë punën e vet. Dhe tani dikush po përpiqet të fshehë punën kriminale që ka bërë vitet e fundit. Nuk do të ketë mëshirë, kush të duan të jenë, nga cila etni të duan të jenë dhe nga cila parti politike të duan të jenë. Kjo është, do të thoja, një vrasje masive që dikush e lejoi të ndodhë për para, për ryshfet, për korrupsion. Ky klub është licencuar vetëm dy herë. Pyetja është se si e nënshkruan në 2021 dhe 2023. Këtu nuk ka politikë, të gjithë do të jeni përgjegjës. Nëse ata mendojnë se do të përpiqen të luajnë kartën etnike, nuk do të funksionojë. Duhet t’i nxjerrim nga shtëpia. Do t’i tërheqim për veshi dhe do të mbajnë përgjegjësi!,”- tha Mickoski.
Maqedonia e Veriut dhe Koçani janë të tronditura një ditë pas tragjedisë së disko, e cila la pas të paktën 59 të vdekur dhe më shumë se 155 persona të plagosur. Në qytetin e Koçanit mbizotëron heshtja, ndërsa banorët kanë ndezur qirinj në parkun e qytetit deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme për të vrarët nga zjarri në diskotekën “Puls”. Viktima më e re ishte vetëm 14 vjeç. Deri më tani janë ndaluar 15 persona, mes të cilëve edhe zyrtarë shtetërorë, ndërsa mbrëmë janë caktuar masa e paraburgimit për dhjetë persona. Disa nga të dyshuarit janë lënduar nga zjarri dhe ndodhen në spital./ZËRI
Burimi