
Tragjedia në Koçan/ Arrestohet drejtori i kompanisë që menaxhonte diskotekën ‘Puls’
MAQEDONIA E VERIUT-Hetimet vijojnë në lidhje me tragjedinë me 59 viktima në Koçan, ku në pranga është vendosur edhe Aleksandar Karadakoski, pronari i kompanisë “MMMM Cafe Doel Koçani”, e cila menaxhonte diskotekën “Puls”. Kompania kishte një llogari bankare të bllokuar dhe u themelua më 29 maj 2020. Karadakoski është edhe drejtor i kompanisë. Sipas të dhënave të fundit, kompania ishte në të kuqe me rreth 3000 euro në vitin 2023.
Mbi 15 persona janë arrestuar e disa të tjerë janë shoqëruar në lidhje me zjarrin që shpërtheu në diskotekën në Koçan. Katër të dyshuar janë në spital. Mes tyre janë djali i pronarit të diskotekës dhe drejtuesi i personit juridik që administron klubin e natës. Në mesin e të arrestuarve është edhe përfaqësues institucionesh si ish-sekretarja e Ministrisë së Ekonomisë, Razmina Çekiç.
Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka shpallur shtatë ditë zie në nderim të viktimave që humbën jetën. Ndërsa kryeministri maqedonas Hristjan Mickoski ka paralajmëruar përgjegjësi penale për të gjithë të përfshirët në këtë ngjarje.
Në orën 3 të mëngjesit të 16 marsit një klub nate në Maqedoninë e Veriut u përfshi nga flakët. Si pasojë e zjarrit kanë humbur jetën 59 persona dhe 155 të tjerë janë plagosur. Në ambientet e lokalit ishin mbi 1500 persona, të cilët po ndiqnin një koncert muzikor. Dyshohet se zjarri është shkaktuar si pasojë e përdorimit të mjeteve piroteknike./ZËRI
Burimi