
Tragjedia me 59 viktima në Koçan! Nga zjarri vdekjeprurës në klubin e natës tek hetimi, çfarë dihet deri tani
Pamje nga vendi i ngjarjes
MAQEDONIA E VERIUT-Sot banorët e Maqedonisë së Veriut nisin mbajtjen e një jave të gjatë të zisë kombëtare. 59 viktima dhe 159 persona të lënduar, është bilanci i tragjedisë të ndodhur mëngjesin e 16 marsit, ku një klub nate në Maqedoninë e Veriut u përfshi nga flakët. Deri më tani janë identifikuar 35 viktima, prej të cilëve 31 nga Koçani dhe 4 nga Shtipi. Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, tha se 20 prej të lënduarve janë në gjendje të rëndë. Më shumë se 20 prej të lënduarve dhe tre të vdekur janë nën moshën 18-vjeçare, sipas ministrit të Brendshëm, Pance Toskovski.
Familjarët e viktimave, të cilët humbën jetën pas zjarrit në një diskotekë në Maqedoninë e Veriut, kanë refuzuar autopsinë. Të gjithë së bashku, bllokuan, edhe me makina, hyrje-daljet e spitalit në Koçan për të mos autopsinë ndaj familjarëve të tyre.
Çfarë ndodhi në klubin e natës?
Në orën 3 të mëngjesit, një klub nate në Maqedoninë e Veriut u përfshi nga flakët. Si pasojë e zjarrit kanë humbur jetën 59 persona dhe 155 të tjerë janë plagosur. Në ambientet e lokalit ishin mbi 1500 persona, të cilët po ndiqnin një koncert muzikor. Dyshohet se zjarri është shkaktuar si pasojë e përdorimit të mjeteve piroteknike.
Shkaku i zjarrit
Informacionet e para janë se vendi ku është organizuar festa fatale për të rinjtë nuk ka pasur kushte sigurie dhe nuk ka qenë adekuate për pranimin e aq numrit të madh të njerëzve, saqë thuhet se ka pasur, nga 1500-1700 persona. Sipas gjetjeve fillestare, zjarri u shkaktua nga shkëndijat e mjeteve piroteknike, të përdorura për efekt ndriçimi, të cilat ndezën pjesën e çatisë prej materiali të ndezshëm” trarë druri”.
Objekti i djegur në Koçan sipas të dhënave publike të Kadastrës ka hapësirë të përgjithshme rreth 360 metra katrorë në një parcelë prej gjithsej 970 metra katrorë. Fletëpronësia, sipas të dhënave të Agjencisë së Kadastrës evidentohet në emër të Millkovski Andon Grozdan, megjithatë nuk dihet nëse emri që figuron në fakt është edhe pronari i objektit.
Hetimi
Në një konferencë për shtyp Ministri i Brendshëm, Pançe Toshkovski deklaroi se diskoteka nuk kishte licensë dhe se sipas tij do të ketë përgjegjësi. Ministri Toshkovski, tha po ashtu se në koordinim me Prokurorinë Publike, kanë më shumë se 20 persona të dyshuar rreth ngjarjes në Koçan. Në lidhje me tragjedinë janë ndaluar 15 persona.
Ish-sekretarja e ministrisë së Ekonomisë është një nga personat e ndaluar për tragjedinë në Koçan. Bëhet fjalë për Razmina Çekiç. Kjo e fundit akuzohet nga ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, ka falsifikuar licencën për klubin e natës ku edhe ndodhi tragjedia. Funksionin e sekretares shtetërore, Duroviç e ka ushtruar gjatë kohës që me ministrinë ka udhëhequr Kreshnik Bekteshi. Në pyetje është marrë edhe ish-ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi./ZËRI
Burimi