
Tragjedia e Koçanit/ Viktimat rreth moshës 14-24 vjeç, transportohen jashtë vendit disa të plagosur
Kristina Serafimova
KOÇAN- Ministria e Shëndetësisë së Maqedonisë së Veriut ka lajmëruar se disa nga të plagosurit në klubin e natës në Koçan do të transportohen për trajtim mjekësor jashtë vendit. Bëhet me dije se pacientët do të transportohen me helikopter drejt Bullgarisë, Serbisë, Greqisë dhe Turqisë.
Ndërsa, në një deklaratë për mediat drejtoresha e spitalit të Koçanit, Kristina Serafimova, ka dhënë detaje mbi gjendjen e disa prej të lënduarve. Ajo tha se në spital u transportuan 70 persona, mes të cilëve disa ishin pa shenja jete. Më tej, drejtoresha shtoi se shkaku kryesor i vdekjes ishte helmimi nga monoksidi i karbonit. Serafimova tha se momentalisht po trajtohen 20 persona, ndërsa të tjerët janë transportuar në Shtip dhe Shkup. Drejtoresha e spitalit bëri me dije se viktimat janë të moshës 14 deri në 24 vjeç.
“Kemi marrë 70 persona, për fat të keq, mes tyre ishin edhe të sjellë dhe të vdekur. Pacientët kishin djegie dhe helmim me monoksid karboni. Më pas ata janë transferuar në Spitalin klinik të Shtipit dhe prej andej disa janë dërguar në Shkup. Aktualisht kemi 20 pacientë me simptoma të lehta. Shumë njerëz kanë vdekur, por deri në përfundimin e identifikimit, nuk mund të themi se sa kanë vdekur.
Identifikimi i disa personave ishte i vështirë për shkak se disa prej tyre nuk kishin karta identiteti. Të vdekurit ishin të moshës nga 14 deri në 24 vjeç,”- tha Serafimova.
Në orën 3 të mëngjesit, një klub nate në Maqedoninë e Veriut u përfshi nga flakët. Si pasojë e zjarrit kanë humbur jetën 59 persona dhe 155 të tjerë janë plagosur. Në ambientetet e lokalit kanë qenë rreth 1500 persona. Dyshohet se zjarri është shkaktuar si pasojë e përdorimit të mjeteve piroteknike/ZËRI
Burimi