
‘Të ndryshohet Kodi i Punës’, deputeti i PD: 2 orë pushim i paguar besimtarëve myslimanë të premteve që të falin Namazin
Lefter Gështenja
TIRANË-Deputeti i Partisë Demokratike, Lefter Gështenja, i propozon Kuvendit ndryshime në Kodin e Punës. Ligjvënësi kërkon krijimin e kushteve për të gjithë besimtarët myslimanë që të mundësohet falja Namazit në ambientet e punës, si në institucionet private, ashtu edhe ato publike.
Gështenja propozon gjithashtu që çdo ditë të Premte (e xhuma) çdo besimtari mysliman t’i mundësohet pushim i paguar 2 orë në drekë, që t’i jepet mundësi që të falet në Xhami.
“Dje në Parlament propozova dy ndryshime në Kodin e Punës, për të fituar një të drejtë të mohuar ndaj besimtarëve të fesë islame për praktikimin e lirë fetar, edhe pse kjo e drejtë garantohet me ligj si një e drejtë kushtetuese, por bie ndesh me Kodin e Punës dhe i penalizon besimtarët e fesë islame në rastin konkret, të cilët janë komuniteti fetar më i prekur për shkak të dispozitave specifike obligative të kësaj feje! Dy janë ndryshimet kryesore të kërkuara:
-Krijimi i kushteve për të gjithë besimtarët që të mundësohet falja Namazit në ambientet e punës si në institucionet private ashtu edhe ato publike.
-Krijimi i mundësisë së faljes së Namazit për të gjithë besimtarët çdo ditë të Premte (Xhuma), duke e bërë pushim 2 orë në drekë (por të pagueshme)”,-shkruan Gështenja në një postim në Facebook.
Burimi