
Sulmet e Kievit dhe Moskës sfidojnë armëpushimin e brishtë në Ukrainë
Foto ilustruese
KREMLIN- Njoftimi i Kremlinit për bisedën telefonike që Vladimir Putin zhvilloi me presidentin amerikan, Donald Trump, u shfaq në ueb-faqe në orën 20:15, me kohën lokale në Moskë, më 18 mars Putin, tha komunikata, ishte pajtuar me propozimi amerikan për armëpushim për të ndaluar sulmet ruse ndaj infrastrukturës të energjisë të Ukrainës për 30 ditë.
Por, edhe para se biseda telefonike të përfundonte, dronët sulmues ishin në qiell. Pak minuta pas përfundimit të telefonatës, energjia ukrainase dhe caqe të tjera u goditën nga sulmet që vazhduan për orë të tëra. Dy spitale – teknikisht të mbrojtura sipas ligjit ndërkombëtar – u dëmtuan rëndë. Ukraina goditi një kompleks të një tubacioni të naftës në jug të Rusisë.
Një ditë më vonë, më 19 mars, Trump dhe Volodymyr Zelenskyy zhvilluan bisedë telefonike dhe presidenti ukrainas tha se pranoi propozimin për armëpushim. Por, Zelenskyy u tha gazetarëve se “gjithçka do të vazhdojë të fluturojë”.
“Nëse rusët përfundimisht nuk do të godasin ndërtesat tona, as ne nuk do t’i godasim të tyret”, tha Zelenskyy.
Por, ata vazhduan sulmet: Rusia lëshoi më shumë se 170 dronë në Ukrainë në orët e para të 20 marsit. Ukraina përdori dronë me rreze të gjatë veprimi për të sulmuar një bazë ajrore ku bombarduesit rusë me rreze të gjatë veprimi janë të stacionuar dhe raportohet po ashtu se Kievi përdori një raketë me rreze të gjatë veprimi për të goditur edhe një rafineri.
Mund të jetë ende herët për të gjykuar, por siç rëndom janë armëpushimet, ky nuk duket të jetë një i tillë. Dhe, nëse negociatorët rusë dhe amerikanë nuk bien dakord për hapa konkretë – qoftë në Arabi Saudite më 24 mars apo në takime të mëvonshme – ka gjasa që armëpushimi të jetë jetëshkurtër.
“As Rusia, e as Ukraina, në këtë fazë nuk kanë arsye për të ulur intensitetin ose shkallën e operacioneve të tyre”, tha për Radion Evropa e Lirë Maria Engqvist, zëvendësdrejtoreshë e programit të studimeve për Rusi dhe Euroazi në Agjencinë suedeze për kërkime të mbrojtjes.
Nikolas Gvosdev, profesor i çështjeve të sigurisë në Kolegjin e Marinës amerikane, në Njuport të SHBA-së, tha se sulmet që pasuan bisedën telefonike ishin të lidhura drejtpërdrejtë.
“Nga ana e Putinit, qëllimi është që të tregojë se Rusia ka dominim në përshkallëzim dhe mund të vazhdojë të sulmojë në kohë të ndryshme dhe vende të ndryshme, sipas zgjedhjes së saj”, tha Gvosdev për Radion Evropa e Lirë.
“Nga ana e Zelenskyy-t, qëllimi është të tregojë që pavarësisht se Trumpi ka thënë se Ukraina ‘nuk ka asnjë kartë’, në fakt ajo ende ka karta, ende ka aftësi… dhe se Ukraina nuk është aspak në pozitë të vështirë”.
Dick Berlijn, gjeneral i pensionuar i forcave ajrore holandeze që ka shërbyer si zyrtari më i lartë i Holandës, tha se Putini “nuk ka dhënë asnjë sinjal që ai vërtet dëshiron një armëpushim”.
“Mendoj se arsyeja pse ai propozoi që të mos sulmojë infrastrukturën energjetike është sepse kjo e dëmton atë”, tha Berlijn për Radion Evropa e Lirë.
“Shumica e infrastrukturës të energjisë në Ukrainë veçse është shkatërruar, por shënjestrimi i energjisë dhe infrastrukturës ruse, veçmas naftës, e dëmton Rusinë”.
“Në kundërshtim të madh me realitetin”
Që nga fundi i vitit 2022, Rusia ka shënjestruar industrinë energjetike të Ukrainës, duke përdorur raketa balistike dhe raketa lundruese, si dhe dronë me rreze të gjatë veprimi për të shënjestruar centralet e energjisë, ndërtesa të transmisionit dhe nënstacione. Me qëllim që të lodhë popullsinë civile të Ukrainës, kjo strategji shpesh i atribuohet ish-komandantit më të lartë të pushtimit rus, gjeneralit Sergei Surovikin, të cilin mediat ruse dikur e kishin quajtur “Gjenerali Armageddon”. Përballë këtyre sulmeve, Ukraina ka pasur vështirësi që të ketë energji elektrike – por edhe ngrohje – por, ia ka arritur ta kalojë këtë vështirësi përmes një sërë shpikjesh lokale dhe mbështetjes së madhe nga Perëndimi. Në të njëjtën kohë, Ukraina ka intensifikuar prodhimin vendor të dronëve, të cilët i ka përdorur gjithnjë e më shumë për të shënjestruar infrastrukturën energjetike të Rusisë – rafineritë e naftës, tubacionet – dhe objektet ushtarake.
Rusia po ashtu është e shqetësuar për prodhimin e raketës ukrainase lundruese me rreze të gjatë veprimi, të quajtur Neptune. Disa ditë para bisedës telefonike, raketa e re u përdor për të sulmuar një rafineri të naftës në bregdetin rus në Detin e Zi, pretendoi Zelenskyy.
Kjo i jep Kremlinit motiv për të kërkuar që ndërtesat e saj energjetike të përjashtohen nga listat e shënjestrave të Ukrainës, tha Berlijn.
Duke folur me gazetarët një ditë pas bisedës telefonike të Putinit me Trumpin, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se urdhri i Putinit u zbatuan menjëherë. Ai madje pretendoi se forcat ruse shkatërruan shtatë dronë të tyre, si dëshmi e vullnetit të mirë të Rusisë.Ekspertët ushtarakë, megjithatë, shprehën dyshime mbi pretendimin e Peskovit dhe theksuan se komandantët rusë mund të kishin ndërprerë sulmet më herët – dhe sigurisht mund të kishin shmangur shënjestrimin e spitaleve gjashtë orë më pas.
Akuzat e ndërsjella u bënë vetëm disa orë pas sulmeve gjatë natës së 20 marsit.
Zotimi i Putinit ishte “shumë në kundërshtim me realitetin”, tha Zelenskyy.
“Ne besojmë se ky armëpushim, i propozuar nga presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, tashmë është shkelur nga regjimi i Kievit”, tha përfaqësuesja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, për televizionin shtetëror rus.
Megjithatë, zyrtarët amerikanë shprehën optimizëm.
“Mendoj se jemi afër paqes, armëpushimit, sesa kemi qenë ndonjëherë në tre vjetët e fundit”, tha për ABC News, Keith Kellogg, i dërguari i Shtëpisë së Bardhë për Ukrainën.
“Teoria e ndalimit”
Përveç dyshimit të madh të nxitur nga lufta trevjeçare e Rusisë ndaj Ukrainës, ka edhe pyetje nëse kishte një marrëveshje për armëpushim që do të hynte në fuqi menjëherë – ose për çfarë realisht u pajtuan palët.
“Do të isha hezitues të quaja ngjarjet që kanë ndodhur gjatë javës së kaluar madje edhe si prelud për një diskutimi rreth një marrëveshjeje të mirëfilltë armëpushimi”, tha Engqvist për Radion Evropa e Lirë.
“Trajektorja për një ‘marrëveshje’ të çfarëdo lloji është shumë e pasigurt për momentin. Ajo mund të marrë shumë kthesa”.
Në njoftimin e Kremlinit u tha se marrëveshja i referohet “infrastrukturës energjetike”. Sidoqoftë, Shtëpia e Bardhë tha se marrëveshja përfshin “energjinë dhe infrastrukturën”. Ndërkohë, Zelensky kishte një këndvështrim edhe më të gjerë për atë që duhej të përjashtohej.
“Një nga hapat e parë drejt përfundimit të plotë të luftës mund të ishte ndalimi i sulmeve ndaj infrastrukturës energjetike dhe asaj civile”, tha ai në një postim në Telegram pas bisedës me Trumpin.
“Të dy palët janë të interesuara në teorinë e një ndalimi”, tha Gvosdev.
“Ukraina mund të marrë kohë për t’u rindërtuar dhe konsoliduar, Rusia do të kërkonte lehtësim të sanksioneve; por, asnjëra palë nuk ka një propozim për një armëpushim që i plotëson këto kërkesa, dhe të dyja janë të pasigurta se sa larg do të shkojë Trumpi për të detyruar pranimin”, shtoi ai.
“Po të donte vërtet Putini të ishte sinqertë në dëshirën e tij për të ndalur luftën, ai mund ta ndalte luftën sot. Ai mund ta kishte ndalur luftën tre vjet më parë”, tha Berlijn.
“Putini dëshiron që Ukraina të kthehet në Perandorinë Ruse. Ai nuk është dakord me faktin që Ukraina është një shtet sovran, prandaj kjo e bën shumë të vështirë arritjen e një marrëveshjeje të paqes që do të ishte e pranueshme për të dyja palët, Ukrainën dhe Rusinë”, shtoi ai./REL
Burimi