
“Sterilizimi”/ Mungoi Naile Ajazi, GJKKO shtyn seancën

Ilir Beqaj
TIRANË- Seanca gjyqësore për dosjen e “Sterilizimit” është shtyrë sërish. Mësohet se shkaku është bërë mungesa e të pandehurës Naile Ajazi, e cila nuk është paraqitur për arsye shëndetësore. Gjithashtu edhe avokatët e saj kanë munguar. Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka caktuar seancën e radhës më 3 prill në orën 12:00.
Në sallë kanë qenë të pranishëm ish-ministri Ilir Beqaj, Klodian Rrjepaj dhe Ilir Rapaj. Mësohet se Rrapaj ka kërkuar leje nga gjykata që të mbrohet nga një avokat italian, por gjykata ka sugjeruar se duhet t’i drejtohet Dhomës së Avokatisë Shqiptare për të marrë leje.
Gjykata e Posaçme ka kaluar për gjykim dosjen “Sterilizimi”. Të pandehurit Ilir Beqaj, Klodian Rrjepaj dhe Ilir Rrapaj do të përballen në gjyq me akuzën e “vjedhjes duke shpërdoruar detyrën” dhe “grup i strukturuar kriminal”. Beqaj do të gjykohet për akuzën e vjedhjes duke shpërdoruar detyrën në kuadër të grupit të strukturuar kriminal në procedurat e koncesionit dhjetëvjeçar të sterilizimeve kirurgjikale prej 100 milionë eurosh.
Lidhur me dy koncensionet në Shëndetësi, ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj është vënë nën hetim nga SPAK prej më shumë se një viti. Beqaj është i dyshuar për shpërdorim detyre lidhur me 2 tendera të firmosura, për sterilizimin dhe check up. Këto 2 çështje janë duke u hetuar nga 3 prokurorë. Koncensionin e sterilizimit po e hetojnë prokurorët Edvin Kondilli dhe Ened Nakuçi, ndërsa atë të ‘check up’ po e heton prokurorja Elida Kaçkini.
Më 18 mars, SPAK njoftoi mbylljen e hetimeve, ndërsa iu komunikoi akuzat 8 personave të tjerë të përfshirë në dosjen e 2 koncensioneve. Por aktualisht, Beqaj është në burg që prej datës 4 korrik, pasi akuzohet për abuzim me fondet e BE-së gjatë kohës së mbante postin e drejtorit të Agjencisë Shtetërore e Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës (SASPAC). Detyrë që e ka mbajtur pasi liroi postin si ministër i Shëndetësisë./ZËRI