
SPAK me prova të reja kundër kryebashkiakut, çfarë do të vendosë sot Apeli për Veliajn

Erion Veliaj
TIRANË-Sot Apeli i GJKKO do të japë vendimin për kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj i cili ka kërkuar lirinë. Seanca pritet të mbahet në orën 12:30.
Për më shumë se 7 orë në seancën e mbajtur një ditë më parë (11 mars) është mbrojtur kërkesa e kryebashkiakut për të zbutur masën e sigurisë “arrest me burg”, por duket se SPAK ka prova të reja kundër tij, për të cilat avokatët kanë kërkuar të njihen me to. Kërkesa e tyre bësi që seanca të shtyhet.
Mbrojtja e Veliajt ka këmbëngulur që masa e sigurisë “arrest në burg” duhet të shfuqizohet dhe se kryebashkiakut duhet t’i jepet mundësia të dalë nga paraburgimi. Sipas avokatëve, Veliaj nuk ka asnjë rrezik të prishë provat apo t’i dëmtojë ato si dhe as të intimidojë dëshmitarët. Ndër të tjera ata ofruan edhe garanci pasurore për shfuqizimin apo dhe zbutjen e masës së sigurisë. Veliaj nuk arriti që të merrte fjalën, ku diskutuan vetëm avokatët dhe të pandehurit.
Masën e kanë ankimuar edhe 4 nga 6 biznesmenët e akuzuar për korrupsion në këtë çështje, Meriman Palushi, Shkëlqim Fusha, Gentian Sula, aktualisht nën masën “detyrim paraqitje”. Ndërsa garanci pasurore për lirinë e tij nga qelia e paraburgimit e ka ofruar biznesmeni Elman Abdule.
Kryebashkiaku Erion Veliaj u arrestua më 10 shkurt me urdhër të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa është lënë në “detyrim paraqitjeje”. Veliaj akuzohet për korrupsion në 9 raste dhe pastrim parash, ndërsa Xoxa për korrupsion në 9 raste, pastrim parash dhe fshehje pasurie. Në pranga është vendosur edhe biznesmeni Elman Abule, ndaj të cilit rëndon akuza e pastrimit të parave. Në “detyrim paraqitje” janë lënë edhe 5 biznesmenë: Gentian Sula; Fatmir Bekteshi; Shkëlqim Fusha; Sokol Kryeziu dhe Meriman Palushi./ZËRI