
Skema e TVSH në Bujqësi/ Braçe kritika ministrave: Do e vazhdoj betejën ndaj atyre që vegjetojnë
Erion Braçe
TIRANË- Deputeti i Partisë Socialiste Erion Braçe shprehet se nuk do të ndalet me betejen e tij për heqjen e Skemës së TVSH-së për bujqësinë. Përmes një video në rrjetet sociale, Braçe ka kritikuar ministrat dhe është shprehur se nuk do të pyesë për ata që do flenë dhe e lënë fshatin në harresë. Braçe shprehet se Tirana nuk ka më nevojë për beton, por për fshatin. Gjithashtu, ai shton se së bashku me kandidatët e tjerë për deputet do të luftojnë për fshatin.
“Tirana ka fshat! Pooo ka fshat! Fshati i Tiranës prodhon; Është prodhuesi i dytë bujqësor e blegtoral në vend! Beteja për fshatin, prodhimin e fshatit është beteja e dyte për te cilën do jem në Kuvend! Janë dy beteja në një; E para-nga Rrogozhina, Kavaja ne Shëngjergj, nga Kamza ne Kërrabë, duhet te mbrojmë token bujqësore. Ky qark nuk ka me nevoje për beton, ka nevojë për fshatin. Ne nuk mund t’i zhdukim Tiranës fshatin. Ritmi i betonit po zhbën fshatin, ky qark ka nevojë që fshati të prodhojë ushqim të freskët bujqësore e blegtoral, nuk ka nevojë të importojë që t’i japë tokë betonit.
E dyta- do vijoj betejën për TVSH-në e bujqësisë, atë që në 6 vite ka bërë dëme kolosale në bujqësi e blegtori. Do vijoj betejën kundër skemës se rehatit në Bujqësi e Blegtori, skemë që bën sikur ndihmon por që nuk nxit prodhimin në rendimet e cilësi; do barazojmë TVSH e do subvencionojmë çdo kilogram prodhim në fund të kësaj beteje. Nuk jam vetëm jooooo! Është një beteje që do e bëj me Xhemalin, Tonin, Etjenin, Ornaldon, deputet sot në fshatin e Tiranës e kandidate sërish. Do bëhemi shumë për të negociuar me qeverinë dhe për ta detyruar çdo ministër që ka 6 vjet që fle dhe nuk ndryshon të bëj gjënë e duhur për popullin në fshat”, shprehet Braçe.
Skema e rimbursimit të TVSH-së iu mundësonte përpunuesve kompensimin e TVSH-së së zbritshme kur blinin mall të shoqëruar me faturë tatimore nga fermerët. Kompensimi me 20% i TVSh-së për periudhën tatimore, iu linte marzh të lartë fitimi përpunuesve, edhe kur e blinin qumështin nga fermeri me çmim të lartë. Më pas, nga 2019 deri në 2022, TVSH e kreditueshme u ul nga 20% në 6%. Ndryshimet fiskale të 2019-s sollën uljen e nivelit të TVSh-së 6% në blerje dhe 20% TVSH e shitjes për produktet e bulmetit. Ndërsa prej vitit 2022, TVSH e kreditueshme u bë 0%. Në komisionin e Ekonomisë, Braçe kërkoi që të hiqet kjo skemë duke thënë se po ndikon negativisht tek fermerët. Por, kjo nismë u bllokua nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, pasi tha se ndikon në fushatën zgjedhore. Braçe e kritikoi këtë bllokim nga ana e KQZ dhe ofendoi kreun e saj, Celibashin, duke e quajtur injorant dhe shtoi se nuk e ka lexuar nismën./ZËRI
Burimi