Skandali me mbetjet e rrezikshme, grupi parlamentar i PD kërkon interpelancë urgjente me kryeministrin Rama

Skandali me mbetjet e rrezikshme, grupi parlamentar i PD kërkon interpelancë urgjente me kryeministrin Rama

Foto nga kuvendi

TIRANË- Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike (PD), përmes Kryetarit të Grupit, Gazment Bardhi, ka kërkuar një interpelancë urgjente me Kryeministrin Edi Rama në lidhje me transportin e paligjshëm të mbetjeve të rrezikshme drejt Kinës dhe Tajlandës. Sipas kërkesës, rastet e përsëritura të eksportit të mbetjeve toksike ngrenë dyshime serioze se Shqipëria mund të jetë përfshirë në një tregti të paligjshme ndërkombëtare të mbetjeve të rrezikshme.
Në kërkesën e grupit parlamentar të PD, theksohet se ky fenomen nuk është një ngjarje e izoluar, por një aktivitet i mirëfilltë kriminal. “Për këtë shkak, vetëm për dy ngarkesat e identifikuara rezulton se në Shqipëri do të rikthehet një sasi në minimum prej rreth 1600 ton mbetjesh toksike, të patrajtuara dhe të papërpunuara, që rrezikojnë të kanosin jetën dhe shëndetin e qytetarëve dhe pa dyshim sigurinë kombëtare”, thuhet në kërkesë.
Sipas tyre, PD ka evidentuar se kompanitë “Kurum International” sh.a. dhe “Sokolaj” sh.p.k. kanë shkelur ligjin për përpunimin dhe transportin e mbetjeve të rrezikshme. Po ashtu, autoritetet përgjegjëse akuzohen nga opozita për mosveprim ndaj këtyre shoqërive private dhe për lejimin e eksportit të mbetjeve në shkelje të ligjeve kombëtare dhe konventave ndërkombëtare.

Gjithashtu, PD kritikon qeverinë dhe autoritetet përgjegjëse për heshtje dhe mungesë transparence mbi këtë çështje prej tre javësh, ndërkohë që skandali ka marrë përmasa kombëtare dhe ndërkombëtare. Grupi Parlamentar i PD kërkon përgjigje të menjëhershme nga Kryeministri Rama mbi këto akuza të rënda dhe masat që do të merren për të parandaluar një krizë të tillë të sigurisë kombëtare. 
“Duhet menjëherë dhe pa asnjë vonesë që Qeveria Shqiptare të informojë Kuvendin e Shqipërisë, dhe përmes tij edhe opinionin publik se për çfarë bëhet fjalë, kujt i përkasin mbetjet e rrezikshme, si janë krijuar apo kanë mbërritur në Shqipëri, si janë trajtuar, cfarë veprimesh, kontrollesh apo aktesh mbikëqyrëse kanë ndërmarrë institucionet, si janë lejuar të eksportohen pa lejet përkatëse nga Porti i Durrësit, kush i ka lejuar të futen dhe të dalin prej territorit të Republikës së Shqipërisë, nga dhe përmes Portit të Durrësit, etj. Në këtë rast mungesa e transparencës nga ana e Qeverisë shton edhe më shumë pasigurinë për jetën e qytetarëve shqiptarë dhe mbi të gjitha dyshimet për një aktivitet kriminal me leje shtetërore, që rrezikon sigurinë kombëtare të një vendi anëtar të NATO-s”. mbyllet kërkesa për interpelancë urgjente me Kryeministrin Edi Rama e Kryetarit të Grupit Parlamentar të PD Gazment Bardhi./ ZËRI
Burimi