Shqiptari që shkoi si emigrant i paligjshëm, intervistë për mediat angleze: Frika e kapjes është gjithmonë aty

Shqiptari që shkoi si emigrant i paligjshëm, intervistë për mediat angleze: Frika e kapjes është gjithmonë aty

Foto ilustruese

ANGLI- Britania po përballet prej vitesh me një fluks të lartë emigrantësh të paligjshëm, pavarësisht masave dhe rregullave të reja për emigracionin. Një shqiptar ka rrëfyer për mediat britanike se si ka arritur t’i shpëtojë sistemit për vite me radhë dhe të jetojë e punojë në Britani, pa dokumentacionin e nevojshëm.
Ai tregoi se kushërinjtë e tij, të cilët tashmë jetonin në Angli, i kanë treguar hiletë për të shmangur kapjen nga autoritetet. Emigranti udhëtoi nga bregu francez afër Dunkirkut me gomone dhe u kap nga Forcat Kufitare të Mbretërisë së Bashkuar, të cilat e transportuan në një qendër paraburgimi në Kent.
“Forca Kufitare na transportoi në një qendër paraburgimi në Kent. Aty qëndruam 48 orë dhe më pas u akomoduam në një hotel, sepse njerëzit vinin gjatë gjithë kohës. U largova nga hoteli pothuajse sapo mbërrita atje. Më pas u takova me kushërinjtë dhe kaq,” rrëfeu ai.
Ai sqaroi se kishte informacion të plotë për procedurat dhe se mundësia për t’u arratisur nga hoteli ishte e njohur për shumë emigrantë. Që atëherë, ka kaluar vite duke jetuar në Britani, duke punuar në tregun e zi dhe duke iu shmangur autoriteteve. Edhe pse frika e zbulimit është gjithmonë prezente, ai thotë se përfitimet financiare janë të konsiderueshme.
“Këtu në Angli duhet të punosh të paktën pesë ose gjashtë ditë në javë. Sigurisht, edhe në Shqipëri nëse punon me orar të plotë, je mirë, por këtu puna është më e qëndrueshme dhe paguhet më mirë,” shpjegoi ai. “Megjithatë, duke qenë pa dokumentacionin e duhur, kam vështirësi të udhëtoj dhe frika e kapjes është gjithmonë aty.”
Pavarësisht rreziqeve, ai beson se më shumë emigrantë do të tentojnë të hyjnë në Britani, duke shtuar se policia shpesh i ruan nga larg./ ZËRI
Burimi