
Rrëfehet “Gzimi”: Puna e paligjshme në Britaninë e Madhe ishte e padurueshme!

Foto ilustruese
BRITANI E MADHE- Një shtetas shqiptar që udhëtoi ilegalisht në Britaninë e Madhe ka treguar për “BBC” se si jeta e tij u bë e “padurueshme” pasi përfundoi duke punuar në një fermë kanabisi. Gzimi, i cili dëshironte të mbetej anonim, ishte një nga më shumë se 12,600 shqiptarët që bënë udhëtimin në Britaninë e Madhe me një varkë të vogël në vitin 2022.
Gzimi thotë se ka pranuar që të japë intervistë për të paralajmëruar të tjerët, pasi qeveria e Mbretërisë së Bashkuar rinisi një fushatë në rrjetet sociale që synon të paralajmërojë shqiptarët që futen ilegalisht për vështirësitë që do të hasin në Mbretërinë e Bashkuar. Në rrëfimin e tij, ai thotë se gjeti një kontrabandist në TikTok, i cili pranoi ta ndihmonte që të shkonte në Angli. Ai thotë se kushërinjtë e tij, të cilët ishin tashmë në Mbretërinë e Bashkuar, i paguan kontrabandistit 3500 £ që ai të kalonte kanalin e “La Mansh”. Pasi u vendos në një hotel, ai thotë se mundi të largohej pa u vënë re për të punuar në një fermë kanabisi.
“Doja një jetë më të mirë, për të ndihmuar familjen time, ndaj si gjithë njerëzit e tjerë që kanë bërë këtë rrugë. I dija rreziqet e këtij lloj biznesi, por shpresoja se nuk do të isha i pafat.”
Ai tregon se ia grabitën fermën e kanabisit, ndaj edhe nuk u pagua nga pronarët e tij. Gzimi u zhvendos në një rol ndërtimi ku thotë se ndihej i detyruar të merrte një pagë më të ulët, jo të mjaftueshme për të mbuluar shpenzimet e tij dhe për të mbështetur familjen e tij në Shqipëri.
5 muaj pasi mbërriti në Britaninë e Madhe ai tha se situata e tij ishte aq e “padurueshme” saqë vendosi të kthehej në Shqipëri.
“Kam ëndërruar për gjëra të tjera. Shpresoja se do t’ia dilja. Askush nuk dëshiron të largohet nga atdheu i tij. Askush nuk dëshiron të lërë njerëzit dhe miqtë e tij. Por në Shqipëri është një luftë mbijetese dhe unë nuk kisha zgjidhje tjetër.“
Vitin e kaluar më shumë se 2600 persona u kthyen në Shqipëri, më shumë se çdo kombësi tjetër. Eksperti i Ballkanit, Andi Hoxhaj i tha një komisioni deputetësh në vitin 2022 se ai vlerësoi se rreth 40% e njerëzve largohen nga Shqipëria për “mundësi ekonomike”.
Lavdrim Krashi, një deputet në Partinë Socialiste në pushtet, tha se disa njerëz ishin joshur në mediat sociale nga premtimet për një jetë më të mirë në Britani. Ai i tha BBC-së: Numrat që udhëtojnë ilegalisht janë ulur në mënyrë drastike në vitet e fundit, por gjithmonë mund të bëhet më shumë. Nuk është në interesin tonë të humbasim të rinjtë tanë, ne duam t’i bëjmë ata të lulëzojnë në ekonominë shqiptare.
Jorida Tabaku, deputete e opozitës nga Partia Demokratike tha: Kur njerëzit shkojnë atje përballen me një realitet tjetër. Shumë prej tyre po paguajnë shumë për të shkuar në Angli.
Që nga viti 2022, Ambasada Britanike ka investuar 6 milionë paundë në një projekt që synon të frenojë fluksin e njerëzve që largohen nga Shqipëria veriore për një jetë të paligjshme që punojnë në MB. Marrëveshja e emigracionit me Britaninë ka rezultuar gjithashtu në një bashkëpunim më të ngushtë për të trajtuar trafikun e njerëzve./ZËRI