“Qëllova për vetëmbrojtje”, vrasja e Anastas Qatos në Belgjikë, nis gjyqi ndaj Mikel Mehmetaj
Foto ilustruese
BRUKSEL- Mikel Mehmetaj, 46-vjeçari shqiptar, i cili në vitin 2015 vrau Anastas Qato, doli të premten para Gjykatës së Assencës në Brukse. Ai akuzohet për vrasje dhe tentativë vrasjeje përballë një kafeneje në Rue de Malines. Mehmetaj para trupit gjykues tha se ai qëlloi për vetëmbrojtjeje pasi u godit me thikë.
“Nuk shkova në spital apo në polici sepse kisha frikë”, deklaroi Mehmetaj. Ndërsa kur u pyet në lidhje me përdorimin e armës, 46-vjeçari tha se ka mësuar si të qëlloj pasi në Shqipëri, sipas tij, ka pasur luftë.
“Po, unë di si të përdor armën, sepse në Shqipëri ka pasur luftë. Para se të qëlloja për vetëmbrojtje unë u plagosa dy herë me thikë në gjoks. Por për shkak se jam shqiptarë kisha frikë të kërkoja ndihmë në instuticionet përkatëse”, mësohet të ketë thënë 46-vjeçari në gjykatë.
I akuzuari ka treguar gjithashtu se ka punuar si “truprojë” e një personi të quajtur Kristo, i cili ishte pronari i lokalit “Au DM”, përballë së cilës kanë ndodhur ngjarjet. Ai tha se për këtë detyrë paguhej disa qindra euro në muaj. Më tej i akuzuari ka shpjeguar se arma që ka përdorur për të qëlluar mbi viktimat është e Kristos.
Më 26 shtator 2015 rreth orës 08:20, policia u njoftua për një sulm me armë në Rue De Malines në Bruksel. Në vendngjarje u gjet i vrarë, Anastas Qato, i cili ishte qëlluar në gjoks dhe kishte ndërruar jetë. Ndërsa vëllai i tij, Artani, ishte plagosur rëndë.
Nga hetimet e kryera nga grupi hetimor, rezultoi se Mikel Mehmetaj, Anastas dhe Artan Qato dhe një person tjetër, ishin punonjës të disa lokaleve, mes të cilave edhe “Au DM”, në pronësi të një personi të quajtur Kristo. Dyshohej se këto lokale shërbenin për të pastruar paratë që përfitoheshin nga trafiku i drogës.
Ndërsa në janar të vitit 2019, Mikel Mehmetaj, u plagos rëndë në Tiranë dhe pas të dhënave nga policia e Belgjikës, ai u identifikua si i dyshuari kryesor në atentatin e ndodhur në vitin 2015. Më 20 tetor 2020, Mikel Mehmetaj u arrestua në Maqedoninë e Veriut dhe më pas u transferua në Belgjikë, ku pranoi se ai ishte i dyshuari kryesor për vrasjen e Anastas Qatos dhe plagosjes së vëllait të viktimës, Artanit. Ndërsa gjyqtarët vendosen që të hënën do të vazhdojë sërish gjyqi, ku do të caktohet dhe masa e sigurisë ndaj tij. /ZËRI
Burimi