Prokurori i arrestuar i “Metamorfozës”, Xhevahir Lita shkarkohet nga KPK
Xhevahir Lita
TIRANË- Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka shkarkuar nga detyra Xhevahir Litën, prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Kukës. Vendimi do t’i njoftohet subjektit të rivlerësimit, Komisionerit Publik dhe vëzhguesve ndërkombëtarë brenda 30 ditëve. Ky vendim, mund të ankimohet në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit nga subjekti i rivlerësimit dhe/ose Komisioneri Publik 15 ditë nga data e njoftimit të vendimit të Komisionit.
Xhevahir Lita aktualisht ndodhet në burg me urdhër të SPAK. SPAK po e heton magjistratin Lita për korrupsion në dy raste si dhe për nxjerrje të akteve e të dokumenteve sekrete, të dyja këto vepra të kryera në bashkëpunim përmes aplikacionit SKY ECC.
Nisur nga të dhënat e siguruara në aplikacionet e koduara ose të sigurta SKY dhe EnchroChat, SPAK e akuzon Litën se ka marrë para në këmbim të informacioneve të hetimit për persona të përfshirë në krimin e organizuar, si dhe i ka orientuar se si të japin deklarime në polici. KPK ka relatuar edhe të dhënat e siguruara nga SPAK dhe Gjykata e Posaçme, lidhur me çështjen penale ndaj Litës, i akuzuar për “korrupsion” dhe “zbulim të akteve ose të dhënave sekrete”.
Sipas SPAK, Lita ka marrë para në këmbim të ndarjes së informacioneve ndaj personave të përfshirë në krim të organizuar, si edhe i ka orientuar si të japin deklarime në polici. Fillimisht ai u dyshua edhe për “grup të strukturuar kriminal”, vepër penale që nuk u provua gjatë hetimit./ZËRI
Burimi