
Prej 4 ditësh në protestë, minatorët e Bulqizës: Të miratohet statusi dhe të rriten pagat

Pamje nga protesta
BULQIZË- Minatorët e minierës së Bulqizës kanë vijuar me protestën edhe ditën e sotme. Ata janë shprehur se nuk do të ndalojnë së protestuari, deri sa t’iu plotësohen kërkesat që ata kanë ngritur. Ata kërkojnë rritjen e rrogës që iu ishte premtuar në muajin janar dhe t’iu hiqet urdhri për të punuar edhe ditën e shtunë.
Sipas tyre, kjo kërkesë nuk ka qenë në kontratën e tyre. Një tjetër kërkesë është edhe miratimi i statusit të minatorit.
Minatorët janë shprehur se kompania iu ka bllokuar aksesin e kartave në mënyrë që minatorët e turnit të dytë dhe të tretë të mos futen në minierë për të protestuar së bashku me kolegët e tyre. Kjo është dita e katërt e protestës, ndërsa ata janë shprehur se do të vazhdojnë të bojkotojnë punën deri në momentin që të përmbushen kërkesat e tyre.
Në dhjetor të 2020 minatorët përmes Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës, minatorët i dorëzuan Kuvendit një peticion me 10 mijë 680 firma për Statusin e Minatorit, por ende Kuvendi nuk e ka përfshirë në rend dite. Statusi i Minatorit shërben për minatorët dhe familjet e tyre. Nëse minatori vritet, aksidentohet apo ka një sëmundje të rëndë, familja apo minatori marrin mbështetje financiare përmes statusit. Po ashtu, marrin edhe një dëmshpërblim me vlerë 6 milionë lekë në rast aksidentesh me pasojë vdekjen në vendin e punës. Gjithashtu sipas draftit që aktualisht ndodhet në Kuvend, familjarët e viktimave duhet të marrin një pension të barabartë me 100% të pagës dhe bursa studimi për fëmijët. Në draft-propozimin e sindikatës, dëmshpërblim kërkohet edhe në raste aksidentesh me pasojë pamundësinë për punë apo aksidente më të lehta.
Sa i përket pagës, sipas propozimit minatori nuk duhet që të paguhet më pak se 235% e pagës minimale zyrtare. Me pagën aktuale minimale, minatorët kërkojnë rreth 61 mijë lekë pagesë bazë, shtesë në pagën bazë për vështirësi pune dhe paga e 13-të. Për minatorët në pension, kërkohet rritja në 35 mijë lekë. Një tjetër ndryshim kërkohet edhe për moshën e pensionimit. 53 vjeç duhet të pensionohen ata që kanë punuar për 11 vite, ndërsa ata që kanë 10 vite, 55 vjeç. Të gjithë kërkojnë kujdes shëndetësor të dedikuar, përfshirë barna 100% të rimbursueshme./ZËRI