‘Po e ndiqnin të fejuarën me motor’, zbardhet dëshmia e Darmend Kelit: Amarildo Hoxhallari më goditi i pari
Pamje nga vendi i ngjarjes
TIRANË- Është zbardhur dëshmia e 25-vjeçarit Darmend Keli, i cili pasditen e djeshme i mori jetën 34-vjeçarit Amarildo Hoxhallari, duke e goditur disa herë me thikë. Keli ka deklaruar se fillimisht ka përcjellë të fejuarën e tij te parkimi, ku ajo më pas ka marrë makinën, dhe kur është ngjitur në banesë ka parë se dy persona me motor, po e ngacmonin, duke ecur paralelisht me mjetin e saj.
Fillimisht ai thotë se iu ka folur personave në fjalë nga ballkoni, dhe më pas ka zbritur me shpejtësi nga banesa. Keli pretendon se Hoxhallari e ka ofenduar dhe më pas e ka goditur me grusht, dhe më pas ai i është përgjigjur duke e qëlluar me thikën që kishte marrë nga shtëpia.
“Përcolla të fejuarën për tek parkimi dhe u ngjita për në shtëpi. Kur dola në ballkon pashë që një motor po e ndiqte dhe fliste duke e ndjekur paralel në makinë. I fola nga ballkoni më pas zbrita. Aty Amarildo Hoxhallari më ofendoi dhe më goditi. Pas përplasjes në një moment e godita me thikën që e kisha marrë nga shtëpia”, ka dëshmuar ai.
Darmend Keli u arrestua nga policia disa minuta pas ngjarjes së rëndë. Ai dhe viktima nuk kanë pasur probleme të mëparshme, ndërsa Hoxhallari rezulton që të jetë person me precedent penal. Në janar të vitit 2015, Hoxhallari ishte arrestuar si i dyshuar për porositjen e një atentati ndaj Pajtim Serjanit, një i njohur i botës së krimit dhe mik i Emiljano Shullazit. Në atë atentat mbeti i plagosur Serjani dhe një efektiv i policisë, Roland Meta./ZËRI
Burimi