
Pjesë e grupit të Laert Haxhiut, ekstradohet nga Holanda Kristi Bixheku

Foto ilustruese
TIRANË- Merr fund arratia e Kristi Bixhekut! 30-vjeçari është anëtar i bandës së Laert Haxhiut. Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi më 31 dhjetor të 2022 vendosi tritol në shtëpinë e Bujar Turkut. Ndaj tij, Gjykata e Elbasanit, ka caktuar masën e sigurisë, “Arrest me burg”, për veprat penale “Shkatërrim i pronës me eksploziv”, “Sigurimi i kushteve material për të kryer vrasje”, “Grup i strukturuar kriminal” dhe”Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal”.
“I dyshuar për një sërë veprash penale, ekstradohet nga Holanda, 30-vjeçari i shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Në vijim të bashkëpunimit të ngushtë me partnerët për lokalizmin, kapjen dhe ekstradimin shtetasve të shpallur në kërkim, nga Interpol Tirana u krye ekstradimi nga Holanda, i shtetasit K. B., 30 vjeç, lindur në Lushnjë.
Shtetasi K. B., ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, ka caktuar masën e sigurisë, “Arrest me burg”, për veprat penale “Shkatërrim i pronës me eksploziv”, “Sigurimi i kushteve material për të kryer vrasje”, “Grup i strukturuar kriminal” dhe”Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal”.
Përmbledhja e fakteve:
Shtetasi K.B. në bashkëpunim me shtetas të tjerë ka siguruar lëndën shpërthyese që është vendosur në shtëpinë e shtetasit B. T., më datë 31.12.2022, në qytetin e Lushnjës.
Si rezultat i bashkëpunimit midis Interpol Tiranës dhe Interpol Haga/Holandë u bë e mundur arrestimi dhe ekstradimi i 30 vjeçarit në Shqipëri”, njofton Policia.
Po ashtu, Bixheku është arrestuar më parë, pasi dyshohej se në bashkëpunim me Lulzim Spahijan, ekzekutuan 25-vjeçarin Fridmnan Xhaferri. 25-vjeçari u gjet i mbytur më 13 qershor 2021 në rezervuarin e Gjançit nga një banor i zonës. në trupin e viktimës u konstatuan shenja dhune në trup dhe në kokë. Ai u gjet me duar të lidhura. Bixheku nuk e pranoi asnjëherë krimin, ndërkohë që ngjarja dyshohej për prishjen e pazareve të drogës./ZËRI