
“Partizani”/ Shtyhet sërish seanca ndaj Sali Berishës dhe Jamarbër Malltezit

Sali Berisha dhe Jamarbër Malltezi
TIRANË- Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka shtyrë sërish seancën gjyqësore për dosjen “Partizani”. Seanca e radhës është caktuar të mbahet më 4 prill. Mësohet se të pandehurit e dosjes, kryedemokrati Sali Berisha, dhëndri i tij Jamarbër Malltezi, Fatmir Bektashi, Andja Pustina dhe Xhimi Begeja kanë përfunduar me pretendimet e tyre,
Gjithashtu, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dorëzuar kundërshtimet në lidhje me pretendimet e të akuzuarve. Avokatët kanë kërkuar më shumë kohë për t’u njohur me argumentët, kërkesë që iu pranua nga GJKKO dhe u vendos për shtyrjen e seancës.
Hetimet për dosjen Partizani kanë nisur në vitin 2020, dhe në aktakuzën e SPAK, dy prokurorët Arben Kraja dhe Enkelejda Millonai e akuzojnë ish-kryeministrin Berisha për veprën penale të “korrupsionit pasiv” të funksionarëve të lartë të kryer në bashkëpunim. Sipas SPAK, Berisha ka ndryshuar ligje, dhe ka ushtruar presion mbi vartësit e tij, në mënyrë që ish-kompleksi Partizani t’iu kthehej pronarëve, në mesin e të cilëve do të përfitonte dhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi.
Aktualisht Berisha është në liri, por me masën “detyrim paraqitje”, 2 herë në javë. Por SPAK ka kërkuar që kryedemokrati të kthehet në arrest shtëpie duke ankimuar vendimin e GJKKO-së. Ndërkohë SPAK ka përfunduar hetimet dhe ka ngritur akuzë zyrtare për Berishën, atë të korrupsionit pasiv.
Ndryshe nga Sali Berisha, dhëndri i tij ndodhet nën masën e sigurisë ‘arrest shtëpie’. Ndaj Jamarbër Malltezit, rëndojnë akuzat e “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë ose të zgjedhurve vendorë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale” që lidhen me privatizimin e ish-klubit Sportiv Parizani. Përveç dyshes Berisha-Malltezi, nën akuzë janë edhe Fatmir Bektashi, Andja Pustina dhe Xhimi Begeja./ZËRI