Parti e re politike? Basha tregon rrugën pas rekursit për vulën e PD: Shqiptarët nuk duan tangon e vjetër
Lulzim Basha
VLORË-Lulzim Basha ka zhvilluar sot një takim me strukturat e tij në Vlorë. Në një prononcim për mediat Basha ka folur rreth rrugës që do të ndjekë në varësi të vendimit të Gjykatës së Lartë, ku ka bërë rekurs vendimin e Apelit që i dha vulën e Partisë Demokratike Sali Berishës. Ish-kryetari i PD, u shpreh se shqiptarët meritojnë më shumë se sa “tangoja e vjetër që kërkon t’i mbajnë peng”, duke theksuar se nuk do të ndalet në rrugën për t’u dhënë alternativën që u mungon.
Basha njoftoi se tashmë partinë e ka gati dhe do t’u paraqitet shqiptarëve si alternativë me logon dhe vulën e PD. Sa i përket së PD-së ish-kryetari u shpreh se ishte një vendim i padrejtë dhe nuk do të presë deri në vendimin e Gjykatës së Lartë dhe ka filluar nga puna për fushatën e ardhshme.
Lulzim Basha: Një takim me strukturat drejtuese të demokratëve euroatlantikë për të vazhduar pa asnjë ndalesë rrugën që kemi nisur, për tu dhënë shqiptarëve alternativën që ju mungon në mënyrë që zgjedhjet e ardhshme të mos jenë një tjetër tango e të vjetrës dhe të keqes që ka pushtuar vendin, por shqiptarët të jenë mundësi të votojnë për programin që meritojnë. Shqipëria dhe shqiptarët meritojnë më shumë se sa tangoja e vjetër që kërkon t’i mbajnë peng nga analet e vjetra të politikës së korrupsionit dhe të krizës ekonomike ku ka zhytur vendin. Partia politike ekziston, ne kemi strukturat, organizimin, kemi njerëzit, programin, ajo që diskutohet është emri. Duke çuar rekursin në Gjykatë të Lartë, ne nuk mund të pranojmë padrejtësinë. Uroj që struktura jonë, që është gati dhe ka filluar punën për fushatën e ardhshme, t’u paraqitet shqiptarëve si alternativë me logon dhe vulën e PD. Por nëse pazari dhe konspiracioni, jo thjesht kundër demokratëve, por kundër shqiptarëve do ta pamundësojë këtë demokratët euroatlantikë do të jenë në zgjedhje, programi dhe lista e kandidatëve tanë nuk do t’u mohohet shqiptarëve? Ne nuk do të presim asnjë sekond, gjithë këtë kohë do ta kalojmë duke shpalosur këtë alternativë pranë qytetarëve. Do të vazhdojmë punën tonë. Do hedhim poshtë çdo skenar që shqiptarët t’i mbyllë në ekuacionin e të vjetrës, kryeministri apo ish-kryeministri, kjo nuk është alternativa për shqiptarët.
Çfarë ndodhi me vulën e PD?
Çështja e vulës së PD u kthye në apel pas një vendimi nga Gjykata e Lartë, ndërsa procesi zvarritet prej rreth dy vitesh e gjysmë. Gjykata e Apelit ka lënë në fuqi vendimin e parë, që është dhënë nga një tjetër trupës gjykuese me në krye Agron Zhukrin. Trupa gjykuese e përbërë nga gjyqtarët Alma Ahmeti, Elona Toro dhe Iliba Bezati vendosën që të mos pranojnë ankimimin e bërë nga Enkelejd Alibeaj, duke ia marrë vulën e partisë më të madhe opozitare në vend Lulzim Bashës dhe ia dorëzuar Sali Berishës. Pas vendimit, Basha mblodhi strukturat dhe premtoi se nuk do ta komentonte vendimin. Nga dita kur u mor vendimit, nga radhët e Bashës kanë ikur deputetët Eralda Bano Tase dhe Kreshnik Çollaku./ZËRI
Burimi