
Në burg për vrasjen e Fatbardh Licit/ Safet e Behar Bajri dhe Astmer Bilali ankimojnë vendimin
TIRANË-Safet Bajri, Astmer Bilali dhe Behar Bajri, kanë ankimuar masën e sigurisë arrest me burg, pasi akuzohen për vrasjen e Fatbardh Licit në Shkodër. Ankimimi do të shqyrtohet nga gjyqtarja Tereza Merkaj. Sipas Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dyshohet se Safet Bajri në bashkëpunim me Behar Bajrin dhe Astmer Bilalin vranë Fatbardh Licin.
Njoftimi:
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, regjistroi çështjen penale nr. 20 akti, datë 13.03.2025 regjistrimi, mbi ankimet e ankuesve S.R., A.B., B.B., me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 12, datë 17.02.2025 dhe vendimit nr. 22, datë 24.02.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, disponuar në lëndë të masave të sigurimit personal. Sipas shortit, trupi gjykues monokratik përbëhet nga gjyqtare Tereza Merkaj.
Më 24 shkurt Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar la në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” për Safet Bajrin, Behar Bajrin dhe Asmer Bilalin. Për të tre rëndojnë veprat penale:“vrasje me paramendim” kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal në dëm të viktimës F.L, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Sipas SPAK, motivi i vrasjes së tij dyshohet se lidhet me faktin që Behar Bajri ka bërë fajtor Ibrahim Licin për vrasjen e ish-efektivit të Policisë së Shtetit, Boran Bërçana. Ky i fundit u ekzekutua bashkë me bashkëjetuesen e tij, Silva Ndocin, në mjetin e tyre. Kështu për të marrë hak, Bajrajt dhe Bilalit.
Vrasja e Fatbardh Licit ndodhi më 10 Gusht 2018 teksa ai ishte duke pirë kafe në një lokal në lagjen Kiras në Shkodër. Dy persona iu afruan, njëri prej tyre doli nga makina tip “Mercedez Benz” duke qëlluar me breshëri kallashnikovi në drejtim të Fatbardh Licit. Fatbardh Lici është xhaxhai i Muhamet, Ibrahim dhe të ndjerit Hamza Lici, i cili u vra pak muaj më parë në hyrje të lagjes Dobraç, zonë e njohur si territor i Bajrave./ZËRI