
Në 2019 iu vrau nëna! Nipi i djeg makinat xhaxhait, sherri për pronat vijon të jetë i hapur

FOTO ILUSTRUESE
TIRANË-Një incident është raportuar në Tiranë, ku një 30-vjeçar ka djegur dy automjete të xhaxhait të tij. Nga hetimet u identifikua autor i dyshuar Marius Xhepa, kurse i dëmtuari është xhaxhai i tij, G. Xhepa, 66 vjeç. Ngjarja u raportua në rrugën “Hamdi Cenoimeri”, ku ishin djegur 2 automjete të parkuara në oborrin e banesës së 66-vjeçarit.
Shkak dyshohet një konflikt prone mes xhaxhait dhe nipit. 30-vjeçari është shpallur në kërkim dhe po vijon puna për arrestimin e tij. Ky i fundit pretendon se i takojnë pronat e babait, por xhaxhai i kishte kaluar në pronësi të tij.
Konflikti për pronat mes familjeve e ka zanafillën që prej vitit 2028. Marius Xhepa është djali i të ndjerës, Lirie Xhepa e cila në 2019 u vra me tre plumba nga kunati i saj, Dashamir Xhepa. Asakohe Xhepa pranoi autorësinë e vrasjes së kunatës së tij, ku deklaroi se e vrau për konflikte me pronat dhe se sipas tij “Lirie Xhepa i kishte ulur reputacionit familjes”. Duket se konflikti për pronën ende nuk është mbyllur.
Njoftimi i policisë:
I vuri zjarrin 2 automjeteve, gjatë natës, identifikohet dhe shpallet në kërkim 30-vjeçari.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, menjëherë pas marrjes së njoftimit se në rrugën “Hamdi Cenoimeri”, ishin djegur 2 automjete të parkuara në oborrin e banesës së shtetasit G. Xh., 66 vjeç, kanë shkuar në vendngjarje, me qëllim kryerjen e veprimeve hetimore.
Nga veprimet e para hetimore është identifikuar autori i dyshuar, shtetasi M. Xh., 30 vjeç, i cili dyshohet se për motive pronësie, ka djegur 2 automjetet e xhaxhait të tij.
Vijon puna për kapjen e 30-vjeçarit dhe për dokumentimin ligjor të rastit.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme./ZËRI